Please enter at least 3 characters.

Më shumë se 180 të plagosur ndërsa policia izraelite përplaset me palestinezët në Jerusalem

2021/05/Screenshot-25.png

Protestuesit palestinezë hodhën gurë dhe policia izraelite gjuajti “granata marramendëse” dhe plumba gome në përleshjet jashtë xhamisë al-Aqsa në Jerusalem të hënën ndërsa Izraeli shënoi përvjetorin e marrjes së pjesëve të qytetit në luftën arabo-izraelite në vitin 1967.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha se më shumë se 180 palestinezë u plagosën nga dhuna, nga të cilët më shumë se 80, përfshirë një person në gjendje kritike, u transferuan në spitale.

Al-Aqsa, vendi i tretë më i shenjtë i Islamit, ka qenë një pikë kryesore e dhunës në Jerusalem gjatë gjithë muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit.

Përplasjet kanë ngritur shqetësim ndërkombëtar.

Tensionet ishin veçanërisht të larta pasi Izraeli shënoi "Ditën e Jerusalemit", kremtimi i tij vjetor i marrjes së Jerusalemit Lindor dhe Qytetit të Vjetër që është shtëpia e vendeve të shenjta myslimane, hebreje dhe të krishtera.

Policia ka thënë se ata kishin vendosur mijëra oficerë në rrugët dhe çatitë e Jerusalemit për të ruajtur paqen.

Izraeli e sheh të gjithë Jerusalemin si kryeqytetin e tij, duke përfshirë pjesën lindore që aneksoi në një lëvizje që nuk ka fituar njohje ndërkombëtare.

Palestinezët duan që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i një shteti që ata kërkojnë në Bregun Perëndimor të okupuar dhe Gaza. /Telegrafi/