“Më bëhet qejfi që fitoi ai person që e kisha parashikuar”, Miri reagon pas finales: Nuk jam i penduar për asgjë, kam treguar si jam në të vërtetë
Pas mbylljes së aventurës së tij në Big Brother VIP Albania, Miri ka reaguar publikisht për herë të parë, duke ndarë mendimet dhe ndjesitë e tij menjëherë pas përfundimit të këtij rrugëtimi të gjatë brenda shtëpisë më të ndjekur në vend.
I qetë dhe i emocionuar njëkohësisht, finalisti ka treguar se e ka përjetuar me shumë intensitet këtë eksperiencë, ndërsa ka theksuar se nuk ndihet i zhgënjyer nga rezultati dhe se e konsideron pjesëmarrjen e tij si një përvojë të rëndësishme në jetën personale dhe profesionale.
Ai u ndal edhe te shpallja e fitueses, Selin Bollati, duke shprehur kënaqësinë e tij për rezultatin final dhe duke kujtuar se që herët kishte parashikuar se ajo do të ishte një nga pretendentet kryesore për çmimin e madh.
“Jo, nuk jam zhgënjyer se dikush do të fitonte, edhe më bëhet qejfi që u fitua nga ai personi që unë kam thënë që ne të dy do të shkonim në finale. Edhe po e fitove ti, e kam fituar edhe unë. E kam thënë që në ditën e dytë që do të thosha profecia ime doli. Unë jam mësuar me të tilla situata, se kam qenë edhe në kompeticione të tjera, por kësaj radhe ishte ndryshe, se isha vetëm dhe koha ishte e gjatë në Big Brother”, tha Miri.
“120 ditë sot të duken shumë pak, por atje brenda duken si 10 shekuj. Megjithatë, unë nuk jam i penduar për asgjë, unë kam bërë lojën time, kam treguar Mirin se si është në të vërtetë, me zemër të madhe. Edhe ndoshta është marrë për dobësi, ndoshta nuk ka funksionuar të jesh i mirë, por unë kam arritur një gjë: që publikun t’i tregoj se jam njeri me zemër të madhe.
Unë në Big Brother kam marrë atë që më ka munguar gjithë këto vite: që Miri të njihet nga publiku edhe më shumë dhe më afër, jo vetëm nga miqtë e mi”, përfundoi ai. /Telegrafi/


