Mbreti Charles e bën të qartë, Harry dhe Meghan nuk kanë detyra zyrtare mbretërore
Duka dhe Dukesha e Sussex-it nuk do të jenë anëtarë aktivë të familjes mbretërore dhe nuk do të lejohen të zhvillojnë angazhime zyrtare tani që janë rikthyer në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo bëhet e qartë në një letër të dërguar në emër të Mbretit Charles.
Letra synon të qartësojë statusin e Princ Harry-t dhe Meghan-it, të cilët u rikthyen nga Kalifornia në Mbretërinë e Bashkuar muajin e kaluar, së bashku me fëmijët e tyre, Archie dhe Lilibet.
Ata nuk do të kenë ende të drejtë të përdorin titujt “His Royal Highness” dhe “Her Royal Highness” (Lartësia e Tij Mbretërore dhe Lartësia e Saj Mbretërore) dhe do të vazhdojnë të konsiderohen “qytetarë privatë”, thuhet në letrën e dërguar në emër të Mbretit nga Lord Chamberlain, një prej zyrtarëve më të lartë të Pallatit.
Lajmi vjen në një kohë kur Princ Harry duket se është fotografuar për herë të parë që nga rikthimi i tij në Mbretërinë e Bashkuar. Një fotografi e publikuar në rrjetet sociale e tregon atë në një studio televizive dhe podcast-esh në Londër.
Sipas burimeve nga Pallati, letra e Mbretit i është dërguar ekipit të Princ Harry-t, departamenteve qeveritare, zyrtarëve ushtarakë dhe Lord Lieutenants.
Lord Lieutenants, të cilët shërbejnë si përfaqësues lokalë të monarkut, si dhe zyrtarët qeveritarë, shpesh përfshihen në vizitat dhe angazhimet e familjes mbretërore.
Letra e bën të qartë se çdo angazhim i Harry-t dhe Meghan-it do të zhvillohet në kapacitet privat dhe se ata nuk do të përfaqësojnë Familjen Mbretërore.
Kjo duket si një paralajmërim i qartë, duke bërë të ditur se çdo vizitë e Princ Harry-t dhe Meghan-it nuk duhet të trajtohet si një angazhim zyrtar mbretëror.
Ky sqarim vjen përpara disa paraqitjeve publike që Sussex-ët pritet të bëjnë gjatë vjeshtës, ndërsa vendosen në Mbretërinë e Bashkuar dhe vazhdojnë të mbështesin aktivitetet e tyre bamirëse.
Çifti ka mbajtur një profil të ulët, por fotografia e parë e Princ Harry-t që nga rikthimi në Mbretërinë e Bashkuar duket se është publikuar në llogarinë në rrjetet sociale të Tower Bridge Studios në Londër.
Mesazhi i Mbretit thekson se marrëveshja e arritur në vitin 2020, kur Sussex-ët u larguan nga Mbretëria e Bashkuar, e njohur si “Marrëveshja e Sandringham-it”, vazhdon të jetë në fuqi.
Kjo marrëveshje përjashtonte një status “gjysmë brenda dhe gjysmë jashtë” të familjes mbretërore. Kjo do të thotë se Harry dhe Meghan nuk mund të ndiqnin interesat e tyre tregtare, ndërkohë që vazhdonin të ishin anëtarë aktivë të familjes mbretërore.


