Please enter at least 3 characters.

MAShTI anulon tenderin 400 mijë euro me arsyetimin se vlera e parashikuar u tejkalua për 10 euro

2024/11/ndertesa-e-MASHT-it-foto-Ridvan-Slivova-2.jpg

Ministria e Arsimit e ka anuluar tenderin për shërbimet e transportit ajror për Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA) pasi oferuesit e tejkaluan për vetëm 10 euro apo 0.0025% vlerën e parashikuar të tenderit.

Sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit të datës 11.07.2025, anulimi i tenderit në vlerë 400,000 u bë edhe për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

“Të njëjtit [AKA] kanë kërkuar që të anulohet si procedurë sepse Disponueshmëria e mjeteve nuk është më në dispozicion sepse gjatë muajit majt kanë realizuar shumë shpenzime tjera, gjithashtu edhe për vitet e ardhshme nuk iu është aprovuar rritja e buxhetit me kornizen afatmesme të shepenzimeve e as me qarkoren buxhetore të lëshuar nga MASHTI.” – thuhet në vendimin e Ministrisë së Arsimit të datës 11.07.2025.

Oferta e dy operatorëve ekonomikë, “Prime Tours & Travel SH.P.K” dhe “AS Travel Club” SH.P.K., për shërbimet e transportit ajror për AKA-në, ka qenë 400,010.00 euro.

Se pse e anuluan tenderin duke thënë se kishte tejkalim të buxhetit nga ofertuesit, kur në pyetje janë 10 euro apo 0.0025% të tejkalimit të vlerës së parashikuar, Ministria e Arsimit u arsyetua se “çdo tejkalim i buxhetit sado minimal që mund të jetë përbën pengesë ligjore për lidhje të kontratës”.

Sipas Dosjes së tenderit, e publikuar më 19.03.2025, qëllimi ishte që të lidhet një Kontratë me një Operator Ekonomik (OE) të kualifikuar, i cili do të ofronte shërbimet e rezervimit dhe lëshimit të aviobiletave për udhëtimet zyrtare të AKA-s, që do të autorizohen nga Ministria e Arsimit.

Ministria kishte parashikuar që gjatë periudhës trivjeçare numri i përafërt i biletave të jetë 1000 copë në destinacione të ndryshme të botës, me çmimin mesatar të një bilete në vlerë 400 euro.

Ministria e Arsimit ka thënë për KALLXO se i siguron biletat e udhëtimit përmes procedurave të prokurimit të zhvilluara në mënyrë të pavarur si Autoritet Kontraktues.

“Kjo ndodh për shkak se Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), në përputhje me politikat e reja të prokurimit të miratuara në nivel qendror, nuk organizon më kontrata të centralizuara për furnizim me bileta të udhëtimit ajror. Për pasojë, të gjitha institucionet publike që kanë nevojë për këto shërbime janë të obliguara t’i zhvillojnë vetë procedurat përkatëse të prokurimit. AKA dhe institucionet e tjera brenda MASHTI-t bëjnë planifikimin vet sipas nevojës që kanë dhe buxhetit që u ndahet nga MF.” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë, më 24.07.2025.

Të dy kompanitë që kanë ofertuar në këtë tender, janë ankuar më 16.07.2025, duke kërkuar rishqyrtim të tenderit, por Ministria e Arsimit i ka vlerësuar të pabazuara pretendimet e tyre në ankesë.

Mediumi i ka kontaktuar secilën nga kompanitë përmes telefonit dhe secila prej tyre ka deklaruar se është në dijeni se ka kohë për parashtruar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) deri sot, më 28.07.2025.

Lajmin e plotë mund ta lexoni më Kallxo.