Please enter at least 3 characters.

MASH gati për fillimin e vitit të ri shkollor

2022/11/MASH-1.jpg

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor 2026/2027, thotë zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani. Sipas tij, janë eliminuar problemet që kanë qenë të pranishme në të kaluarën, veçanërisht sa i përket furnizimit me tekstet shkollore.

“Ky është vetëm viti i tretë që nga koha kur kjo qeveri është në funksion dhe nxënësit do t’i kenë librat në kohë dhe të gjitha tekstet që u nevojiten për një proces të mirëfilltë edukativo-arsimor. Kemi punuar jashtëzakonisht shumë në zgjidhjen e problemeve me numrin e vogël të nxënësve. Është bërë optimizimi i paraleleve në të gjithë territorin e shtetit dhe mendojmë se përmes këtij optimizimi kemi krijuar kushte më të mira për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor, si dhe kemi siguruar më shumë mjete financiare për shkollat, në mënyrë që ato të mund të investojnë në përmirësimin e kushteve. Në përgjithësi, MASH-i i ka përfunduar të gjitha detyrat e nevojshme që viti i ri shkollor të fillojë siç duhet”, deklaroi zv/ministri i Arsimit, Driton Sulejmani.

Zëvendësministri Sulejmani tha gjithashtu se Ministria ka marrë masa për zgjidhjen e problemit të mësimit në gjuhën shqipe në Shkollën Fillore “Njegosh” në Idrizovë, ku po ndërtohen katër klasa të reja.

“Edhe ky është një problem i trashëguar që nuk është zgjidhur me vite. Për shkak të mungesës së hapësirave të mjaftueshme për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor në Shkollën ‘Njegosh’, nxënësit janë detyruar ta ndjekin mësimin në objekte të tjera. Për ta zgjidhur këtë problem, MASH-i ka marrë masa të menjëhershme. Është realizuar prokurimi publik për ndërtimin e katër mësonjëtoreve të reja dhe mendojmë se me këtë hapësirë do të zgjidhet edhe problemi i nxënësve nga klasa e pestë deri në të nëntën, pasi do të kenë hapësirë të mjaftueshme për ta zhvilluar mësimin në të njëjtën shkollë”, u shpreh Sulejmani.

Ai shtoi se mund të ketë nevojë edhe për angazhimin e mësimdhënësve të rinj, ndërsa theksoi se punimet për ndërtimin e klasave tashmë kanë filluar.

Pjesë e Strategjisë për Arsim 2026–2032 është edhe sigurimi i kushteve për zhvillimin e mësimit tërëditor. Aktualisht, rreth 200 paralele në vend zhvillojnë mësim tërëditor, ndërsa zëvendësministri Sulejmani tha se, sipas strategjisë, deri në fund të vitit 2032, të gjitha shkollat do të përfshihen në procesin e mësimit tërëditor.