Marrëveshje historike në turizmin e Kosovës, nënshkruhet bashkëpunimi me AHLEI
Unioni i Turizmit të Kosovës, në një ceremoni zyrtare, ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me American Hotel & Lodging Educational Institute (AHLEI), duke shënuar një moment me rëndësi të veçantë për zhvillimin e sektorit të turizmit dhe hotelerisë në Republikën e Kosovës.
Ky partneritet strategjik përfaqëson bashkëpunimin e parë të këtij lloji në Kosovë me një institut lider amerikan, i njohur ndërkombëtarisht për trajnime profesionale dhe certifikime në fushën e turizmit dhe hotelerisë.
Marrëveshja ka për qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve, zhvillimin e kapaciteteve profesionale të fuqisë punëtore, si dhe forcimin e konkurrueshmërisë së bizneseve turistike në vend, raporton Telegrafi.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë përfaqësues institucionalë, zyrtarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, përfaqësues të sektorit privat, si dhe aktorë të tjerë relevantë të industrisë së turizmit dhe hotelerisë.
AHLEI është institucioni global i trajnimit dhe certifikimit në fushën e mikpritjes dhe turizmit, i themeluar nga Shoqata Amerikane e Hoteleve dhe Strehimeve dhe Shoqata Kombëtare e Restoranteve.
I pranishëm në mbi 100 vende të botës, AHLEI synon rritjen e profesionalizmit, cilësisë së shërbimit dhe konkurrueshmërisë globale përmes certifikimeve dhe trajnimeve të njohura ndërkombëtarisht.
AHLEI e konsideron Unionin e Turizmit të Kosovës një partner të rëndësishëm dhe strategjik për zhvillimin e kapaciteteve profesionale në Kosovë. /Telegrafi/


