Man Utd i bashkohet garës së ashpër për transferimin e yllit të Barcelonës
Manchester United është i interesuar për transferimin e Marc Casados për të forcuar repartin e mesfushës para sezonit të ri, raportojnë mediat spanjolle.
Drejtuesit e klubit nga “Old Trafford” e kanë prioritet absolut shtimin e opsioneve cilësore në mesfushë, në prag të një sezoni që pritet të jetë mjaft sfidues.
Pas sigurimit të kualifikimit në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, kërkesat e stafit teknik janë rritur ndjeshëm.
Trajneri Michael Carrick synon të ndërtojë një skuadër konkurruese që mund të përballet me sukses me rikthimin në elitën e futbollit evropian.
“Djajtë e Kuq” tashmë kanë kompletuar transferimin e mesfushorit Ederson nga Atalanta për një shumë të konsiderueshme, por drejtuesit e klubit vazhdojnë të kërkojnë një profil plotësues që mund të sjellë ekuilibër taktik dhe intensitet në fazën defensive.
Në këtë drejtim, Manchester United po monitoron nga afër situatën e Marc Casados, i cili konsiderohet një nga emrat më interesantë të afatit kalimtar të verës.
Mesfushori 22-vjeçar vlerësohet lart nga stafi teknik anglez për aftësinë e tij në rikuperimin e topit, cilësi që e bëjnë një profil ideal për repartin e mesfushës.
Megjithëse pati një periudhë pozitive nën drejtimin e trajnerit gjerman Hansi Flick, roli i Casados në skuadër është zbehur gradualisht. Shfaqja e talenteve të tjerë nga akademia, si Marc Bernal, ka ndikuar që ai të humbasë statusin e padiskutueshëm në formacion.
Gjatë sezonit të kaluar, Casado ishte titullar në vetëm 10 ndeshje të La Ligës, ndërsa në total regjistroi 34 paraqitje në të gjitha garat me ekipin katalanas./Telegrafi/


