Please enter at least 3 characters.

Majk, Arta Bajrami, Leonora Jakupi dhe shumë artistë të tjerë ndezin atmosferën në Lipjan

Në mbrëmjen e 29 korrikut, sheshi "Adem Jashari" në Lipjan u mbush me mijëra qytetarë që erdhën për të festuar dhe përjetuar një natë të paharrueshme me muzikë dhe emocione, në kuadër të hapjes së festivalit Mërgata Fest & Sports 2025.

Koncerti u organizua nga Komuna e Lipjanit dhe është pjesë e projektit të implementuar nga ESRA – Environmental and Social Responsibility Association (Shoqata për Mbrojtje Mjedisore dhe Kujdes Social), duke synuar të lidhë diasporën me vendlindjen përmes artit dhe sportit.

Në skenë u ngjitën disa nga emrat më të dashur të muzikës shqiptare. Majk, me energjinë e tij të njohur dhe hitet që publiku i këndoi në kor, elektrizoi atmosferën. Arta Bajrami, me zërin e saj të fuqishëm dhe interpretim plot pasion, solli nostalgji dhe emocione. Ndërsa Leonora Jakupi, një ikonë e skenës shqiptare, u mirëprit me duartrokitje të fuqishme dhe këndoi disa nga këngët e saj më të dashura.

Pjesë e koncertit ishin edhe Deyzoh dhe Gazi Musliu, të cilët sollën ritme bashkëkohore dhe energji rinore në skenë.

Ky koncert shënoi vetëm fillimin e edicionit të sivjetëm të Mërgata Fest, një ngjarje që synon të bashkojë komunitetin vendas dhe atë të diasporës përmes artit, kulturës dhe sportit. Entuziazmi, gëzimi dhe ndjenja e bashkësisë që përshkuan mbrëmjen e djeshme janë tregues i suksesit të këtij projekti.

“Një natë për t’u mbajtur mend” – e tillë ishte mbrëmja e parë e Mërgata Fest 2025 në Lipjan. /Telegrafi/