LVV në Prishtinë i reagon Ramës: Kur mungojnë argumentet, qytetarët e dallojnë propagandën nga realiteti
Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Jeta Dida-Bujari, ka reaguar pas deklarimeve publike të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me kryeministrin Albin Kurti, duke i cilësuar si propagandë dhe mungesë argumentesh.
Në një postim në Facebook, Dida-Bujari ka shkruar se “kur mungojnë argumentet dhe vizioni”, atëherë, sipas saj, “nuk ka kuptim”.
“Kur mungojnë argumentet dhe vizioni, dhe kur pikërisht ajo ndodh me ata që për vite të tëra e kanë mbajtur shtetin peng të interesave personale, ndërsa sot përpiqen të paraqiten si shpëtimtarë të Kosovës, me të vërtetë nuk ka kuptim”, ka shkruar ajo.
Ajo ka mbrojtur kontributin politik të Kurtit, duke thënë se mohimi i sakrificës së tij është “ose padije, ose tendencë e qëllimshme për manipulim”.
“Të flasësh për kontributin e Albin Kurtit duke e mohuar sakrificën, rezistencën politike dhe përballjen e tij me regjimin serb, është ose padije, ose tendencë e qëllimshme për manipulim”, ka theksuar Dida-Bujari.
Sipas saj, “jo të gjithë kanë kontribuar me uniformë”, por kjo, siç thotë ajo, nuk i bën “më pak të vlefshëm” ata që kanë rezistuar “me burg, me aktivizëm dhe me kauzë politike”.
“Jo të gjithë kanë kontribuar me uniformë, por kjo nuk i bën më pak të vlefshëm ata që kanë rezistuar me burg, me aktivizëm dhe me kauzë politike në kohët më të vështira për Kosovën”, ka shkruar ajo.
Dida-Bujari ka vlerësuar gjithashtu se Kosova sot ka “stabilitet financiar” dhe “rritje të të hyrave shtetërore”, duke thënë se po zhvillohet “luftë më serioze kundër korrupsionit” dhe se ka “rend institucional shumë më të madh” sesa më parë.
“Sot Kosova ka stabilitet financiar apo rritje të të hyrave shtetërore, bëhet luftë më serioze kundër korrupsionit dhe ka rend institucional shumë më të madh sesa në periudhat kur shteti trajtohej si pronë private e grupeve politike”, ka shkruar ajo.
Në të njëjtin reagim, ajo ka thënë se qytetarët “kanë kërkesa dhe pritje më të mëdha”, por, sipas saj, “dinë ta dallojnë edhe propagandën nga realiteti”.
“Po, qytetarët kanë kërkesa dhe pritje më të mëdha, dhe me të drejtë. Por qytetarët dinë ta dallojnë edhe propagandën nga realiteti dhe po e shohin qartë se kush është duke shpërndarë frikë, shpifje dhe urrejtje”, ka shkruar Dida-Bujari.
Reagimi i asamblistes vjen pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar një postim ku ka kritikuar kryeministrin Kurti, duke thënë se ai “ka deficit të madh politik dhe personal” dhe se “nuk ka asnjë kontribut as në luftën çlirimtare dhe as në ndërtimin e institucioneve”.
“Albin Kurti ka deficit të madh politik dhe personal, sepse nuk ka asnjë kontribut as në luftën çlirimtare dhe as në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Rama.
Rama ka pretenduar se Kurti, sipas tij, “për gjashtë vjet në pushtet, e ka zhytur vendin në varfëri dhe stagnim”, duke shtuar se nuk ka pasur “asnjë projekt madhor” dhe “asnjë rezultat konkret”.
“Për gjashtë vjet në pushtet, e ka zhytur vendin në varfëri dhe stagnim. Pa asnjë projekt madhor, pa zhvillim kapital dhe pa asnjë rezultat konkret. Asnjë. Zero”, ka shkruar ai. /Telegrafi/


