Lumi B flet për “Simpatinë”, si lindi ideja e bashkëpunimit me Dhuratën dhe sa është i kënaqur me suksesin? (Video)
Reperi i njohur Lumi B dhe këngëtarja Dhurata Dora kanë publikuar së fundmi bashkëpunimin e tyre më të ri, këngën dhe klipin “Simpatia”, një remiks i këngës shumë të njohur që këndohej dikur nga Edona Llalloshi dhe Memli Krasniqi
Në një intervistë për Telegrafin, reperi Lumi B tregon se si lindi ideja për këtë bashkëpunim me Dhuratën, e që më pas rezultoi të ishte shumë i suksesshëm.
“Bashkëpunimi lindi spontanisht. Ideja ishte e përbashkët me producentin Big Bang, menduam se Dhurata ishte e duhura për të kënduar atë refren të këngës, të cilën e kemi dëgjuar të gjithë para 20 viteve, kështu kemi menduar që pritet mirë dhe në fakt ashtu rezultoi. Sollëm një remiks i cili u prit mirë nga fansat”, u shpreh Lumi B për Telegrafin.
Në vazhdimin e bisedës, Lumi flet edhe për suksesin që shënoi kënga që në momentet e para, e që vazhdimisht po vazhdon të pëlqehet dhe suportohet nga fansat.
"Kënga ka arritur mbi 1.3 milion klikime në kanalin YouTube, por më e rëndësishmja është që po e dëgjojmë kudo, fansat e kanë pëlqyer dhe vazhdimisht po na shkruajnë dhe po na komplimentojnë”, tha Lumi B.
Ndërkohë sezona e verës e cila është më e ngarkuar për estradën, duket se e tillë do të jetë edhe për reperin.
Për Telegrafin, Lumi B tregon se do të jetë mjaft i angazhuar me mbrëmje të ndryshme, gjersa nuk do të mungojnë edhe projektet e reja.
“Aktualisht po shijojmë suksesin e ‘Simpatisë’, por sigurisht që vera është një sezonë i gjatë dhe i ngarkuar me punë. Do të jem shumë aktivë me koncerte, ndërsa gjithashtu do të sjell edhe projekte të reja”, përfundoi Lumi B. /Telegrafi/


