Luis Enrique i del në mbrojtje yllit të Real Madridit
Kjo javë mund të konsiderohet pa dyshim më e vështira në karrierën e Brahim Diaz.
Të dielën, mesfushori kishte në këmbët e tij mundësinë për t’i dhënë fund një thatësire 60-vjeçare për Marokun në Kupën e Kombeve të Afrikës dhe për të shkruar emrin e tij në historinë e futbollit maroken.
Megjithatë, penalltia e tij ‘panenka’ u ndal nga portieri Edouard Mendy, duke e kthyer Diaz në një nga figurat më të diskutuara të finales.
Luis Enrique del në mbrojtje të Brahim Diaz
Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, i cili nuk gëzon simpati në “Santiago Bernabeu” për shkak të së kaluarës së tij me Barcelonën, doli hapur në mbrojtje të Brahim Diaz.
Sipas Diario AS, trajneri austrian ka thënë:
“Sot folëm për atë penallti. Të gjithë po flasin për Brahimin. Por unë kujtoj Zidanen, një perëndi të futbollit, që shënoi një panenka në finalen e Kupës së Botës. Kujtoj gjithashtu Sergio Ramosin, që ka shënuar Panenka në ndeshje shumë të rëndësishme. Shumë lojtarë e bëjnë këtë. Kur shënon, të gjithë të duartrokasin dhe askush nuk thotë asgjë. Kur e humbet, lindin shumë opinione negative”.
Luis Enrique vijoi duke theksuar vlerat njerëzore dhe sportive të lojtarit:
“Ai është një lojtar i shkëlqyer. E njoh personalisht, e kam drejtuar edhe me kombëtaren për një ndeshje. Është një futbollist i jashtëzakonshëm dhe një njeri i madh. Është e padrejtë. E kuptoj që është e vështirë për t’u pranuar, por ky është sporti: duhet të dish të fitosh dhe të humbësh. Nuk është fundi i botës. Më e rëndësishmja janë vlerat që u transmeton të rinjve. Ai nuk është një kriminel apo njeri i keq. Ai meriton respekt. Aktualisht po kalon një moment presioni”.
Brahim kërkon falje, Real Madridi i qëndron pranë
Pas penalltisë së humbur, Brahim Diaz publikoi një mesazh emocional ku kërkoi falje ndaj tifozëve dhe popullit të Marokut.
Trajneri Alvaro Arbeloa dhe disa bashkëlojtarë te Real Madridi kanë bërë të ditur se do ta mbështesin lojtarin pas rikthimit të tij, i cili ndodhi të enjten.
Brahim pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës së Real Madridit ndaj Villarrealit, ndërsa klubi madrilen ka treguar unitet të plotë në mbështetje të mesfushorit. /Telegrafi/


