Please enter at least 3 characters.

LSDM sot do të mbajë Kongresin e partisë

LSDM
LSDM

Lidhja Social Demokratike sot do ta mbajë Kongresin e 31-të në Shkup në hotelin Aleksandar Pallas.

Sipas informacioneve nga LSDM-ja, Kongresi do të ketë një pjesë të hapur dhe një pjesë pune.

Në fillim, do të ketë një pjesë të hapur të Kongresit, pas së cilës do të pasojë edhe fjalimi i kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe. Pas kësaj do të vijojë një pjesë pune e Kongresit.

Kujtojmë se ditë më parë Filipçe theksoi se kritikat aktuale ndaj tij dhe partisë vijnë nga, siç tha ai, “individë që janë shantazhuar ose blerë”, duke shtuar se anëtarët dhe mbështetësit e vërtetë të LSDM-së i njohin këto përpjekje për të dobësuar opozitën. Ai tha se nuk ka ndërmend të largohet nga detyra sepse, siç theksoi, qëllimi i tij kryesor është të vazhdojë luftën për “shërimin e shoqërisë, zhdukjen e korrupsionit dhe kthimin e vendit në rrugën evropiane”.

Filipçe theksoi se LSDM mbetet një parti plotësisht e bashkuar, me një grup parlamentar të sinkronizuar dhe kompakt dhe se procesi i konsolidimit të brendshëm në organizatat komunale është duke vijuar.
Nga ana tjetër, ish-kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, i bëri thirrje Filipçes që të japë dorëheqje, ndërsa me kritikë të hapur doli edhe Jovan Despotovski, duke vlerësuar se udhëheqësia aktuale e LSDM është e vetmja përgjegjëse për pakënaqësinë midis anëtarëve të partisë.