Liria shënoi 85 vjetorin e themelimit të klubit
Në prani të ish futbollistëve, veteranëve, donatorëve, trajnerëve, futbollistëve aktual, sportistëve të ndryshëm si dhe përfaqësues të Qeverisë lokale e qendrore, deputetë, përfaqësues të subjekteve politike, të Komunës së Prizrenit, mediave etj. në ‘Vila 100′ Klubi Futbollistik “Liria”, shënoi 85 vjetorin e themelimit dhe hyrjen në Superligë.
“Që nga marrja e drejtimit të klubit ne i patëm vënë vetes një synim:”ose do ta rikthenim Lirinë në Superligë, ose të gjithë do të dorëhiqemi” , patëm thënë botërisht. Kjo tregon se sa të përkushtuar dhe serioz kemi qenë, me të gjithë ju”, ka thënë fillimisht, Mirsad Çollaku, kryetari KF “Liria”.
Ai, më tej u shpreh: “Falënderojmë të gjithë ata që kanë kontribuar për sukseset e Lirisë. Falënderimi i veçantë shkon për Kuvendin Komunal që edhe ka mbështetur më së shumti klubin, sikurse edhe donatorët. Ne, do të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt sukseseve në arenën ndërkombëtare, që Lirinë ta bëjmë skuadër europiane. Për këtë jemi të interesuar që të gjithë. Këtë e meriton skuadra që ka dhe traditë”, ka thënë ai, duke iu drejtuar të pranishmëve në fjalimin kryesor.
Fjalë rasti kan mbajtur edhe Kujtim Gashi, kryesues i Asambles Komunale, që ka premtuar përkrahje edhe në të ardhmen, duke u nisur që nga investimet në infrastrukturë dhe mbështetjen tashmë të konfirmuar materiale si dhe ministri, Mahir Jagcillar që foli në emër të Qeverisë.
Në këtë ceremoni festive, u ndanë mirënjohje post mortum, për dëshmorët:Përparim Thaçi dhe Naim Rexhepi, si dhe për ish anëtarët e klubit që tashmë nuk jetojnë.
Me mirënjohje u nderuar edhe kontribuesit-donatorët.
Më pas festa ka vazhduar në koktejin e organizuar nga Bordi i klubit deri në orët e vona.
Të pranishëm ishin mes shumë të tjerë të tillë si, Arjan Beqaj (Ish-reprezentuesi shqiptar dhe futbollisit i Lirisë), Kujtim Shala, Esat Mehmeti,Sokol Hadri, Agim Maloku, Ali e Aqif Shehu, Genc Hoxha, përfaqësues të FFK-së, nënkryetarët:Agim Ademi e Bekim Haxhiu dhe shumë mysafirë të tjerë./liriafc.com/


