Please enter at least 3 characters.

Lidhja Demokratike si e vetmja alternativë

- Thirrje publike për të gjithë rugovistët kudo që janë -

Lidhja Demokratike, si e Dardanisë ashtu edhe e Kosovës, për dallim nga të gjitha partitë tjera, në vazhdimësi janë në qendër të diskutimit publik. Demokracia e brendshme e asnjë partie tjetër nuk bëhet pjesë e diskutimit publik për arsyen e thjeshtë se në asnjë parti tjetër nuk ka demokraci të brendshme.

Fakti se Lidhja Demokratike, qoftë ajo e Dardanisë apo e Kosovës, nuk ngurron që të jetë transparente para publikut është një nga argumentet e shumta se filozofia politike e kultivuar nga Presidenti Rugova është mendësia e vetme e cila reflekton demokraci dhe liri. Është e vetmja mendësi ku individi do të mund ta gjejë lirinë e tij të punës dhe të shprehjes pa frikë nga presioni e nga haraçi.

Të gjithë ata që në një formë apo tjetrën kanë marrë diçka nga shkolla politike e Presidentit Rugova nuk kanë prirje që politikën partiake ta shndërrojnë në sistem konspirativ të dysheve dhe tresheve të një lufte pakompromis intrigash larg syve të opinionit.

Mos ta mashtrojmë veten me iluzione! Liritë tona, e drejta jonë që të punojmë dhe të jetojmë lirshëm është në rrezik! Çdo ditë e më shumë jemi duke u zhytur drejt një diktature të heshtur e cila po i merr edhe ato pak liri që na kanë ngelur. Ne po lejojmë që kjo të ndodhë sepse elektorati Rugovian, gardiani i vetëm i demokracisë në Kosovë, është shndërruar në një masë pasive dhe është barikaduar në enklava politike rreth një numri të vogël qytetesh.

Vala fanatike e Rugovizimit në Dukagjin, Ferizaj e gjetiu është në defanzivë totale përderisa zgjedhjet në Prizren dhe Gjilan janë shndërruar në një betejë për mbijetesë.

Politika e bazuar në interesa klanore dhe rajonale por mbi të gjitha përçarjet shpesh edhe absurde e kanë krijuar një situatë ku disa nga zyrtarët e LDK dhe LDD më shumë merren me njëri tjetrin sesa me rivalët ideologjik. Për një numër zyrtarësh kyç të LDK-së dhe LDD-së lufta kundër njeri tjetrit është e vetmja gjë që dinë përderisa bastione të tëra të Rugovizmit pasivizohen dhe shpërbëhen.

Po të njëjtëve zyrtarë u mjafton të jenë bartës të funksioneve në parti e cila mund ta gjejë veten në prehjen e një koalicioni qoftë me PDK apo me AAK dhe nuk e kanë as motivin më të vogël ta lirojnë elektoratin Rugovian prej kthetrave të shantazhit nga forcat politike që dëshirojnë ta copëtojnë dhe ta thyejnë deri në shpërbërje totale elektoratin Rugovian dhe që më pas Kosovën ta udhëheqin me logjikën e diktatit dhe haraçit. Shpërbërja e Rugovizmit është pika e fundit e cila do të shënojë kalimin në një diktaturë përfundimtare.

Intelektualët e shumtë, të cilët dikur edhe e kanë sfiduar Presidentin Rugova, sot e kërkojnë atë për faktin se ju mungon liria dhe respekti që ju garantonte vet prania e Presidentit Rugova. Të ballafaquar me realitetin e diktaturës së heshtur të instaluar nga të tjerët këta intelektualë kanë filluar ta kuptojnë vlerën e demokracisë dhe lirisë që e reflektonte Presidenti Rugova.

Patjetër duhet që ta rikthejmë krenarinë elektoratit Rugovian por kjo nuk mund të bëhet me formula të ndarjes së kulaçit dhe me plotësim egosh por vetëm me një bashkërendim përpjekjesh duke forcuar lidhjet që na bashkojnë dhe duke respektuar ato që na ndajnë.

LDD dhe LDK duhet të punojnë në forcimin e strukturave të veta, si dy shtëpi vëllezërish që jetojnë në një lagje përplot me kundërshtarë fanatik, dhe jo të merren me njëri tjetrin derisa partitë tjera përvetësojnë vlerat tona. Bashkëpunimi i sinqertë dhe vëllazëror në disa komuna është tregues se nëse LDK dhe LDD e respektojnë njëri tjetrin së bashku mund të ndryshojnë qasjen e të tjerëve ndaj tyre. Bashkëpunimi në Istog, në vendlindjen e Presidentit Rugova, është thirrje dhe jehonë se bashkëpunimi me respekt të ndërsjellë në mes të dy Lidhjeve Demokratike nuk ka alternativë.

Ne nuk mund ta ndryshojmë atë çka ka ndodhur. Ne nuk mund të shlyejmë ato që na kanë ndarë por ne mundemi që ta ndryshojmë të ardhmen. Për këtë ne duhet që së pari të ndryshojmë mendësitë brenda dy partive tonë si motra dhe mbi të gjitha të lirojmë veten nga kthetrat e atyre që organizimet politike i trajtojnë si prona private. Këta më me dëshirë do t’i shihnin këto dy parti si forca shkurtabiq por nën kthetrat e tyre e jo si dy gjigant që marrin frymë lirshëm.

Një LDD e fort dhe me një udhëheqje të urtë duhet të ishte interes strategjik i LDK-së e poashtu e njëjta vlen edhe anasjelltas. Ne duhet të aspirojmë që Kosovën në të ardhmen ta udhëheq një koalicion LDK-LDD si një koalicion vëllazëror i atyre që ndajnë vlera të përbashkëta. Çdo gjë tjetër është shmangie nga vetvetja.

Unë si deputet dhe si zyrtar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë do të angazhohem me të gjitha që kam që ta lirojë LDD-në nga mendësia e deritanishme që e ka pasivizuar në ekstrem veprimin tonë politik, dhe së bashku më veprimtarët e devotshëm ta reformojmë dhe ta forcojmë LDD-në.

Një LDD e fortë do të jetë krah i të gjithë atyre që angazhohen për rikthimin e krenarisë së Rugovizmit si cak final. I ftoj të gjithë që të bashkohen në këtë rrugëtim aspak të lehtë por fatkeqësisht të domosdoshëm si alternativë e vetme e shëndoshë e cila e garanton rifaktorizimin e Rugovizimit si gardian të vetëm të demokracisë dhe lirive qytetare të secilit individ.

Lutem që me 31 Dhjetor Prizreni, i cili ishte boshti i përçarjes sonë, të shndërrohet në boshtin e bashkëpunimit të ri në mes të forcave tona e më pas e njëjta të ndodhë edhe në Gjilan dhe në një të ardhme jo të largët së bashku ta formojmë qeverinë e konceptit Rugovian e cila është e vetmja që mund ta qojë Kosovën në familjen evropiane që ishte ëndrra e madhe e Presidentit Rugova.