Lideri ia tregon forcën Drenicës
Ekipi nga Drenasi që është edhe lider në elitën e futbollit kosovar ka shënuar edhe një fitore tjetër tejet të vlefshme në luftën për titull të kampionit, ku mposhtën Drenicën me rezultat të thellë 4-2.
Në ndeshjen e zhvilluar në ‘Përparim Thaqi’, të Prizrenit vendasit e Ferronikelit shënuan qysh në minutën e dytë nëpërmjet mbrojtësit Fidan Gërbeshi.
Golin e dytë për ‘Niklin’, u përkujdes Qemail Elshani që shënoi në minutën e 32-të, para se kapiteni Lapidar Lladrovci të shënoj për 3-0 në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë përsëri ishin vendasit që shënuan, kur talenti Mendurim Olluri ngriti epërsinë në 4-0 në minutën e 58-të.
Drenica u zgjua nga gjumi falë sulmuesit Dren Gashi që shënoi tre minuta më vonë për 4-1, ndërsa golin e dytë për mysafirët e arriti Shkëlzen Lushtaku 10 minuta para fundit të ndeshjes.
Pas kësaj fitore Ferronikeli forcon pozitën e parë me 47 pikë të tubuara nëntë më shumë se përcjellësit Prishtina dhe Hajvalia. /Telegrafi/


