“Leksion mbi tradhtinë”: Agjenti i dyfishtë britanik që dezertoi në Rusi dhe i dha mësim armikut
Më 30 korrik 1963, u bë publik dezertimi i Kim Philbyt nga MI6-i drejt Bashkimit Sovjetik. Në vitin 2016, BBC transmetoi pamje të papublikuara më parë të ligjëratës së tij për operativët e Stasi-t, në të cilën ai zbulonte sekretet që fshiheshin pas tradhtisë së tij.
Nga: Fiona Macdonald / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
“Pothuajse gjithë jetën time e kam kaluar në përpjekjen për të shmangur publicitetin e çdo lloji”, ka thënë Kim Philby në një video të vitit 1981, të zbuluar nga BBC në arkivat e shërbimit sekret të Gjermanisë Lindore. Është disi një nënvlerësim. Philby ishte agjent i dyfishtë britanik, dezertimi i të cilit në Bashkimin Sovjetik u bë publik më 30 korrik 1963. Në video, ai shihet duke mbajtur një seminar për operativët e Stasi-t se si të kenë sukses në spiunazh.
Siç shpjegoi ish-korrespondenti i BBC-së për çështjet e sigurisë, Gordon Corera - në reportazhin e tij të vitit 2016 mbi këto pamje të papublikuara më parë - “Philby jep një leksion mjeshtëror mbi tradhtinë - nga rekrutimi i tij nga spiunët sovjetikë pas Kembrixhit, deri te hyrja e tij në shërbimin sekret britanik MI6 - sekretet e të cilit ai i vodhi”. Kjo është e vetmja video e njohur në të cilën anëtari kryesor i të ashtuquajturit rrjet i spiunazhit të KGB-së, Pesëshja e Kebrixhit [Cambridge Five], flet për tradhtinë e tij - një incizim i rrallë që zbërthen gjëra në shumë nivele.
“Po e kujtoj karrierën time në kampin e armikut, këtë karrierë 30-vjeçare në kampin e armikut”, thotë ai në videon me cilësi të dobët, duke qëndruar pas një foltoreje me syze me skelet të trashë, kostum dhe kravatë. “Çdo mbrëmje dilja nga zyra me një çantë të madhe plot me raporte të cilat i kisha shkruar vetë, plot me dosje nga vetë arkivat. Në mbrëmje ia dorëzoja kontaktit tim. Nesër në mëngjes ma kthente dosjen, pasi përmbajtja ishte fotografuar, dhe unë e merrja herët në mëngjes dhe i vendosja dosjet përsëri në vendin e tyre. Këtë e bëja rregullisht, vit pas viti.”
Lexo po ashtu:
- ‘Operation Valuable Fiend' ose Tradhtia e Madhe: Dështimi i planit anglo-amerikan, për ta rrëzuar Enver Hoxhën
- Jeta e agjentit më dinak të shekullit XX, Kim Philby: Pse e ndihmoi Enver Hoxhën dhe pse thoshte se përmes Shqipërisë e parandaloi Luftën e Tretë Botërore?
- Tradhtia shqiptare e agjentit të dyfishtë britanik
- Dokumenti që Kim Philby ia dërgoi KGB-së për diversantët që donin ta rrëzonin Enver Hoxhën
- Misioni i tradhtuar: Pse britanikët u rreshtuan me Enver Hoxhën dhe pse Kim Philby e sabotoi pushtimin e Shqipërisë?
Si pjesë e një rrethi ku bënin pjesë edhe Donald Maclean, Guy Burgess, Anthony Blunt dhe John Cairncross, Philby ia kaloi Kremlinit sekrete shtetërore britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë - përfshirë periudhën kur Gjermania naziste dhe Bashkimi Sovjetik ishin aleatë. Megjithatë, sipas Antonia Seniorit, autores së librit Apostujt e Stalinit:Pesëshja e Kembrixhit dhe krijimi i perandorisë sovjetike [Stalin's Apostles: The Cambridge Five and the Making of the Soviet Empire], ndonjëherë kishte këndvështrim të idealizuar për tradhtinë e tyre.
“Portretizimet e tyre në teatër dhe sidomos në ekran, i paraqesin si maskarenj simpatikë”, i thotë Seniori, BBC-së. “Në fakt, ishin tradhtarë, gënjeshtarë dhe njerëz të neveritshëm që tradhtuan njerëzit që i donin, po aq sa edhe vendin e tyre ... Ky nuk ishte një krim pa viktima. Tradhtitë e tyre e ndihmuan Stalinin të skllavëronte gjysmën e Evropës dhe Pesëshja e Kembrixhit ishin entuziastë në përparimin e atij projekti imperialist nën maskën e revolucionit botëror.”
Philby pranoi në fjalimin e tij para Stasi-t se tradhtoi një operacion të përbashkët të CIA-s dhe MI6-it në Shqipëri, gjë që çoi në vrasjen e qindra njerëzve. Dhe, në një autobiografi të vitit 1968, të cilën The New York Times e cilësoi “pa pendesë dhe egoiste”, ai i përshkroi agjentët shqiptarë të cilët i tradhtoi si “sapo kishin zbritur nga pemët”. Ai kishte një “mospërfillje të pamëshirshme për njerëzit që i dërgoi drejt vdekjes”, thotë Seniori.
Pesëshja madhështore
Pasi u rekrutua si spiun sovjetik në Universitetin e Kembrixhit në fillim të viteve ’30 të shekullit XX, Philby iu bashkua MI6-it më 1940 dhe më vonë - në këtë shërbim - u bë drejtues i sektorit të kundërzbulimit ndaj Bashkimit Sovjetik. Ky post i mundësoi t'ia kalonte drejtpërdrejt KGB-së sekretet jetike britanike dhe amerikane, ndërkohë që sabotonte operacionet antikomuniste të Perëndimit. Ngjitja e tij në hierarkinë e shërbimeve të zbulimit britanik u lehtësua nga prejardhja e tij dhe nga një dukuri që Seniori e quan “çapocraci” - një rrjet i ngushtë burrash të privilegjuar brenda establishmentit, të cilët kishin të njëjtën prejardhje arsimore elitare.
Sipas Seniorit, kjo do të thoshte se autorizimi i sigurisë jepej mbi bazën e përkatësisë në të njëjtën shtresë shoqërore dhe të hijeshisë personale, e jo mbi bazën e meritës ose të një verifikimi të rreptë. “Çapokracia e futi Philbyn në shërbim të zbulimit britanik në fillim të Luftës së Dytë Botërore, kur kërkesa e madhe për djem të zgjuar - që t'u bashkoheshin Shërbimeve të Sigurisë - bëri që njerëzit si ai të kalonin pa vështirësi”, thotë ajo.
Duke shfrytëzuar paragjykimet klasore dhe pikat e verbra institucionale, Philby dhe anëtarët e tjerë të Pesëshes së Kembrixhit arritën të fitonin qasje “në sekretet më të thella të shtetit britanik dhe atij amerikan gjatë 17 vjetëve që spiunuan për Stalinin”, thotë Seniori. “Kërkimet atomike. Procesverbalet e plota të kabinetit britanik. Sekretet e Parkut Bleçli [qendra britanike e deshifrimit të kodeve gjatë Luftës së Dytë Botërore]. Korrespondenca private e Winston Churchillit dhe Franklin D. Rooseveltit. Lista është e gjatë dhe krejtësisht marramendëse - nuk është çudi që zbulimi sovjetik i quante brenda për brenda ‘Pesëshja Madhështore’.”
Pasi Burgessi dhe MacLeani dezertuan në Bashkimin Sovjetik në vitin 1951, Philby u lirua nga detyrat e tij në zbulim përpara se të shkarkohej nga MI6-i në vitin 1955. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ai ia doli të arratisej në Moskë në vitin 1963. Një arsye e mundshme jepet në këshillën e fundit që Philby u dha spiunëve të Gjermanisë Lindore. “Më morën në pyetje për të ma thyer qëndresën dhe për të më detyruar që të rrëfehem. Dhe, gjithçka që duhej të bëja, në të vërtetë, ishte ta ruaja gjakftohtësinë. Këshilla ime për ju është t'u thoni të gjithë agjentëve tuaj që të mos rrëfehen kurrë. Thjesht, mohoni gjithçka”.
Asnjëri prej të pestëve nuk u ndoq kurrë penalisht për spiunazh - një dështim të cilin disa e panë si pasojë të një mbulimi nga establishmenti britanik. Por, Seniori argumenton se kjo nuk ishte patjetër e vërteta. “Në fillim të vitit të kaluar u publikua një sasi e madhe materialesh nga MI5-i mbi hetimet ndaj Philbyt, Bluntit dhe Cairncrossit, të cilat nxorën në pah një tablo tjetër”, thotë ajo. “Shërbimet e Sigurisë bënë gabime, por problemi themelor ishte se është shumë e vështirë të dëshmohet spiunazhi. Philby, në këtë video, e paraqet shpëtimin e tij nga ndjekja penale si rezultat të manipulimit të tij të shkathët të dëshirës së establishmentit për t'i mbyllur gjërat në heshtje. Realiteti është më i ndërlikuar”.
Dyshimet ranë mbi Philbyn sapo Burgessi dhe MacLeani dezertuan - dhe, ai u mor në pyetje, u vu nën vëzhgim, iu vendosën pajisjet e përgjimit dhe u përcjell, si edhe iu nënshtrua një hetimit nga një prokuror i shquar. Fatkeqësisht, thotë Seniori, “mungonin provat për ta ndjekur penalisht. Ishte e qartë për të gjithë se Philby po gënjente, por nuk kishte prova”.
Hero në Rusi
Shërbimet e Sigurisë arritën përfundimisht të merrnin dëshmi nga Philby, Blunti dhe John Cairncrossi, por vetëm pasi atyre iu premtua imuniteti nga ndjekja penale, çka nënkuptonte se rrëfimet e tyre nuk do të mund të përdoreshin kundër tyre në gjykatë. “Në Britani, elementi më i rëndësishëm që mbrojti Pesëshen e Kembrixhit ishte sundimi i ligjit”, thotë Seniori. “Ishte këmbëngulja jonë për prova dhe për respektimin e procedurës së rregullt ligjore që i ndihmoi ata t'i shpëtonin drejtësisë. Padronit të cilit i shërbenin, Stalini, thjesht do t'u kishte dhënë një plumb në kokë ose do t'i kishte dërguar të vdisnin në Gulagun e tij.”
Philby u prit si hero në atdheun e tij të përvetësuar, pasi dezertoi, duke arritur gradën kolonel në KGB para vdekjes së tij në vitin 1988, dhe duke u shfaqur në një pullë postare sovjetike në vitin 1990. Ai nderohet ende edhe sot atje; një shesh në Moskë, pranë selisë së Shërbimit të Zbulimit të Jashtëm të Rusisë, mban emrin e tij, ndërsa pranë fushëbetejës së Kurskut ndodhet një statujë e tij. “Putini e ka përvetësuar Kim Philbyn si simbol të nacionalizmit të tij rus”, thotë Seniori.
Philby është varrosur në Varrezat Kuntsevo në periferi të Moskës, në një vend të cilin ai e konsideronte atdheun e tij. Kur Corera raportoi prej andej në vitin 2016, varrezat ishin të mbuluara me dëborë, gjë që ia kujtoi titullin e romanit klasik të spiunazhit të John le Carrésë, Spiuni që erdhi nga të ftohtit [The Spy Who Came in from the Cold]. Philby, vuri në dukje Corera “ishte spiuni që erdhi tek i ftohti”. /Telegrafi/


