Le Bris konfirmon rëndësinë e Granit Xhakës për objektivat e Ligës Premier
Sunderlandi përgatitet për ndeshjen e ardhshme të Ligës Premier ndaj Brightonit të shtunën, pas eliminimit të papritur nga Port Vale në Kupën FA.
Granit Xhaka, kapiteni i Sunderlandit, nuk ishte në formacionin startues gjatë këtij takimi, një vendim që ka shkaktuar diskutime mes tifozëve dhe analistëve.
Trajneri i Sunderlandit, Regis Le Bris, ka sqaruar se vendimi ishte i menduar për të ruajtur gjendjen fizike të Xhakës për ndeshjet e mbetura të Ligës Premier.
“Duhet ta menaxhojmë ngarkesën e Xhakës”, ka thënë Le Bris në një konferencë për shtyp, duke theksuar se objektivi kryesor i klubit mbetet mbijetesa dhe performanca në ligën elitare angleze.
Le Bris ka theksuar rëndësinë e Xhakës në dinamikën e skuadrës.
“Premier Liga është prioriteti ynë i parë, 100 %. Është thelbësore të menaxhojmë Granitin. Ekipi funksionon më mirë me të, por patëm tre ndeshje brenda një jave”.
“Nuk deshëm ta rrezikonim deri në fund, sepse ai mund të ndryshojë ritmin e lojës. Për të ardhmen e Sunderlandit, na duhet Graniti në formë të mirë”.
Vendimi për të kursyer Xhakën vjen pas një eliminimi zhgënjyes nga Kupa FA, që mund të jetë një goditje për skuadrën, por Le Bris duket se fokusohet tek qëllimet afatgjata të klubit.
Sunderlandi ka ende nëntë ndeshje për të luajtur në Ligën Premier këtë sezon, dhe çdo pikë ka rëndësi për qëndrimin në elitën e futbollit anglez. /Telegrafi/


