Please enter at least 3 characters.

Kuvendi i Ferizajt zgjodhi nënkryetarin për komunitete

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Xhavit Zariqi, ka kryesuar sot mbledhjen e dytë të rregullt të Kuvendit Komunal, në të cilën morën pjesë drejtorët e drejtorive komunale, anëtarët e Kuvendit, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Gjatë kësaj mbledhjeje, drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Balton Dërguti, ka paraqitur propozim-vendimin për aprovimin e marrëveshjes së bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit ndërmjet Komunës së Ferizajt dhe Caritas Kosovës, i cili u miratua nga Kuvendi.

Po ashtu, me shumicë votash, Kuvendi i Komunës së Ferizajt ka zgjedhur Jeton Eminin nënkryetar të Komunës nga radhët e komuniteteve.

Në rend të ditës ishte edhe aprovimi dhe miratimi i Planit të Punës së Kuvendit për vitin 2026, i cili u shqyrtua nga anëtarët e Kuvendit.

Ndërkohë, pikat që kishin të bënin me plotësim-ndryshimin e vendimit për themelimin e Komitetit për Politikë dhe Financa, si dhe propozim-vendimin për plotësim-ndryshimin e vendimit për themelimin e Komitetit për Komunitete, u shtynë për mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal. /Telegrafi/