Kush do të dalë humbës në zgjedhjet Ahtisariane, konformistët apo realistët?
Në përditshmërinë tonë sociale dhe sidomos atë politike shpeshherë hetojmë se demokracia kosovare në fakt është një “trëndafil me gjemba” që kërkon kohë dhe përkushtim të duhur si nga mediet ashtu edhe nga mekanizmat tjerë social të jetës sonë shoqërore.
Por, a është gjithnjë kështu dhe përse për çdo ditë hasim në këtë dukuri që sot është bërë një gangrenë e llojit të vetë për perspektivën e institucioneve kosovare. Paraprakisht do të ishte mirë që në vija të trasha ta shpjegojmë konceptin dhe perceptimin sociologjik të kësaj sjelljeje të shquar si konformizëm. Kjo fjalë (conformism) rrjedhë nga lat. conformare, që do të thotë më thjeshtë: rregullim, përshtatje, e pajtim të pa hamendur, pra të pa kontestuar të mendimit që vjen nga tjetri!
Dukuria e përshtatjes, apo pajtimit me një diskutim apo vendim politik qoftë me liderin apo grupin krijon parakushte për të zhveshë individualitetin e vetë si të recipientit ashtu edhe te atij që e pranon idenë, sugjerimin, apo edhe mënyrën e defilimit që i bëhet atij në çfarëdo forme, qoftë përmes trysnive verbale në mënyrë që të krijohet një raport i çuditshëm i nënshtrimit ndajë këtij ndikimi personal apo grupor.
Në përditshmërinë tonë aktuale, gjithashtu dukurinë e kësaj sjelljeje për mendimin tim devijante mund ta hasësh kudo, si në jetën sociale (shkaku i varësisë nga eprori apo punëdhënësi) ashtu edhe në jetën politike e ekonomike. Bile, në jetën politike ky fenomen ka filluar të marrë konotime dhe përmasa të një sindromi shumë të rrezikshëm për demokracinë e re të Kosovës.
A janë elitat tona konformiste?
Nëse u adresohemi elitave apo klasës së tanishme politike hetojmë gjithashtu një tip interesant të konformizmit në raport me faktorët ndërkombëtar. Në rastin më të mirë hetohet tash në diskursin aktual politik kur po debatohet për “protokollet” made in EULEX (apo thënë më mirë për gjashtë pikëshin e famshëm të Ban Ki Munit?!).
Por si mund të shpjegohet, i tërë ky lloj konformizmi ynë masiv në shoqërinë tonë? Për një mendim sociologjik, kujtojë që këtë mentalitet konformist në shoqërinë kosovare duhet kërkuar para së gjithash në kulturën tonë të krijuar si pasojë inferioritetit që me dekada të tëra na e ka amputuar detyrimisht ish regjimi serb, duke na shantazhuar me të gjitha format e mundshme sociale, ekonomike e sidomos aso politike. Në realitet, prirja jonë si shoqëri për t’i ndjekur qëndrimet dhe mendimet e të tjerëve, prej të cilëve gjithnjë ekziston supozimi (e të shumtën e rasteve, çka është edhe më keq: bindja!) se jemi të varur: ekonomikisht, politikisht, profesionalisht, personalisht, juridikisht, etj. nga të tjerët (në këtë rast nga: nga bashkësia ndërkombëtare/UNMIK-u, EULEXI, zyrat e ndryshme diplomatike, Brukseli, Washingtoni, etj.../) ndikon në marrjen e vendimeve që nuk janë as mendime e as vendime tona: personale, grupore, qeveritare, partiake, etj.
Prej nga e ka prejardhjen konformizmi ynë kosovar?
Pra, nëse me logjikën e perceptimit i gjurmojmë shtyllat e prejardhjes së kësaj “teknologjie të mbijetimit”: personal, grupor, social, politik e sidomos ekonomik në përditshmërinë tonë aktuale kosovare, kujtojë që do të duhej t’i referohemi gjithqysh (nëse është fjala për konformizmin tonë kolektiv) referencave të cilësisë kulturore që i manifestojmë aktualisht si shoqëri dhe si mentalitet, pastaj kujtojë strukturës shoqërore dhe sidomos karakterit të shtresëzimit të kësaj strukture shoqërore.
Këto tri katër argumente sociologjike, për mendimin tim tash e një dekadë të tërë kanë arritur të amputohen padiktueshëm në sjelljet tona kolektive si shoqëri e dalë prej të gjitha atyre katrahurave, në formë të besimit se kjo mënyrë është mënyra më e mirë e mbijetimit: profesional (për individin), politik (për partitë politike), ekonomik (për kompanitë dhe bizneset e vogla dhe aso të mëdha) dhe social (për të jetuar një jetë normale).
Siç po vërehet, konformizmi në shoqërinë kosovare nuk është vetëm fenomen i detektuar me dioptrinë e një sociologu me përvojën e nevojshme për ta shpallur atë si non grata, por ai tashmë është bërë sindrom alarmues që mund të bëhet realisht një pengese serioze për emancipimin e gjithmbarshëm: politik, ekonomik, e social të shtetit që po ndërtojmë! E themi kështu, ngaqë tipi ynë i konformizmit kolektive, në një farë mënyre po përtyp pa kurrfarë seleksionimi modelet e reja vlerore, vetëm e vetëm që t’i duket vetvetja in (!?), si kishin me thënë kullerat!
Cila duhet jetë zgjidhja jonë?
Po si duhet pra të sillemi? Përgjigja më e mirë është kthimi te vetvetja e jonë, te rrënjët tona puritane, te modeli i të qenunit ai që je, jo ai që të tjerët po të bëjnë ty edhe si individ e edhe si shoqëri.
Pra, ikja nga përshtatja me mendimin e: eprorit, shefit të partisë, menaxherit të kompanisë, udhëheqësit, etj, duke e shpalosur gjithmonë mendimin, (por jo edhe besimin në atë që dëshiron ta thuash gjithherë?!) tënd individual, grupor, partiak, qeveritar, etj. në një mënyrë krijon parakushtin e parë për të krijuar vlerën e re, mendimin e ri kreativ, flakjen e ndjenjës së inferioritetit ndajë tjetrit, pranimin se edhe ti dinë mund dhe ke vlerë individuale e kolektive. Tekefundit, si individi ashtu edhe shoqëria konformiste është dëshmuar se nuk janë asgjë tjetër përveç se një antipod i individualizmit modern që po e kultivon shoqëria moderne perëndimore.
Ne këtu nuk po e zbulojmë “ujin e nxehtë” , sepse ai ka kohë që është zbuluar nga të tjerët. Ajo që deshëm të themi në këtë rast lidhur me këtë dukuri në shoqërinë tonë kosovare, është se: konformizmi, apo përshtatja me mendimin dhe bindjen e tjetrit, nuk është e thënë që gjithnjë të na çojë përpara as në konkurrencë të mendimeve e as në ndërtimin e kapaciteteve tona kolektive demokratike. Ne akoma jemi duke i kultivuar “ndjenjat dhe dhimbjet e ëmbla” të mentalitetit servil, pra mentalitetit të robit që nuk dinë të mendojë dhe të gjykojë me kutin e vetvetes, por me kutin e tjetrit qoftë ai: lideri politik, qeveritari aktual, menaxheri i kompanisë, etj. Me këtë model të tanishëm të sjelljes sonë vështirë do ta kemi ta ndërtojmë, jo shtetin por as shtëpinë tonë, as kompaninë, as institucionin, e as vetveten që supozojmë ta fusim në konkurrencë me të tjerët, qoftë ai EULEX, Bruksel, Washington, etj. Grekët e vjetër thoshin “nohse te ipsum”!
Gjykuar me parametrat shume signifikativ logjik, kulturor, juridik , ekonomik e sidomos ata politik, si edhe me rrugëtimin që gjerë tani e ka shënuar Kosova në sferën e pushtimit të demokracisë, na del se humbës të sivjetshëm do të duhej të ishin të gjitha ato subjektet politike e institucione të ngritura dhe të kultivuara po nga ky tip i sjelljes sonë të gjertanishme konformiste! A është e mundur kjo në një Kosovë të re apo duhet të presim edhe shumë palë zgjedhje tjera? Kjo është dilema.


