Kurti pas përurimit të zyrës së MBPZHR në veri: Diskriminimit i ka ardhur fundi
Në Mitrovicën e Veriut sot është hapur zyra e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Kjo zyrë është vendosur në objektin ku kishte vepruar në mënyrë ilegale Posta e Serbisë, e cila ishte mbyllur më 22 nëntor 2024.
I pranishëm në përurimin e hapësirave të kësaj Ministrie, ishte edhe kryeministrit, Albin Kurti i cili tha se diskriminimit i ka ardhur fundi dhe të gjithë qytetarët, pa dallime, do të mund të marrin shërbime në këtë zyrë.
Sipas tij, nga gjithsej 32 mijë fermerë që marrin mbështetje nga Ministria e Bujqësisë, 10% e tyre i takojnë komunitetit serb.
“Një zyrë rajonale të Ministrisë e cila në njërën anë ofron gjithëpërfshirjen, pra për të mos e lënë asnjë njeri mbrapa ose jashtë dhe në anën tjetër ofron mundësi të barabarta, ashtu që të gjithë fermerët të kenë mundësi për qasje në subvencione e në grante që janë jetike për zhvillimin e bujqësisë, për rritjen edhe të prodhimit edhe të produktivitetit. Nga gjithsej 32 mijë fermerë që marrin mbështetje, rreth 3 mijë janë të komuniteteve serbe, pra afro 10 për qind, që do të thotë proporcionalisht shumë më tepër sesa përqindja e popullsisë. Ne dëshirojmë të dëshmojmë me punë konkrete, praktike, siç është edhe kjo sot, që nuk diskriminojmë asnjëri, pra kohëve të diskriminimit u ka ardhur fundi dhe këtë ne e bëjmë me zhvillim dhe me progres. Andaj gëzuar dhe urime të gjithëve kjo zyrë rajonale e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural këtu në Mitrovicë”, tha Kurti.
Kurse, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja tha se sot po hapet një qendër rajonale për shërbime të përbashkëta.
“Në kuadër të konceptit të Ministrisë së Bujqësisë për shërbime të përbashkëta, kemi vendosur me hapë qendrën rajonale për të gjitha agjencitë e Ministrisë së Bujqësisë, mu këtu në këtë lokacion, edhe dëshirojmë që t’ju urojmë mirëseardhje”, tha Muja.
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së zyrës së Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Mitrovicën e Veriut ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. /Kp/


