Please enter at least 3 characters.

Kurti në 25-vjetorin e rënies së Tahir Sinanit: UÇK-së iu bashkua një nga oficerët më të aftë dhe më të dobishëm

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka organizuar të martën një Akademi Përkujtimore me rastin e 25-vjetorit të rënies së gjeneralit Tahir Sinani.

Në fjalën e tij, Kurti e ka vlerësuar lart figurën e Sinanit, duke e cilësuar atë si një nga luftëtarët më të spikatur të çështjes kombëtare shqiptare dhe një prej oficerëve më të dobishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas Kurtit, angazhimi i Tahir Sinanit në UÇK në vitin 1998 nuk solli vetëm një luftëtar të ri në radhët e saj, por një ushtarak profesionist, i cili përvojën dhe aftësitë e tij ua përcolli qindra luftëtarëve të tjerë.

“Mobilizimi i Tahir Sinanit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës më 1998, nuk ia shtoi UÇK-së thjesht një luftëtar më shumë, por ia solli asaj një nga oficerët më të dobishëm që aftësitë e tij profesionale ua përcolli qindra ushtarëve të tjerë, para se të përfshihej edhe vetë ai në zemër të luftës”, tha Kurti.

Ai përmendi edhe vendimin e Sinanit për të mos anashkaluar hierarkinë komanduese në UÇK, duke theksuar se ai kishte kërkuar që fillimisht të përballej vetë me forcat serbe.

“Por pavarësisht kësaj, ai refuzoi t’i mbivendosej zinxhirin komandues të ushtarëve që i kishte trajnuar vet, duke këmbëngulur që fillimisht ta kalonte një sprovë personale, përballjen e parë me forcat armike serbe”, u shpreh kryeministri në detyrë.

Kurti tha se jeta dhe veprimtaria e Tahir Sinanit lidhen me përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar, duke përmendur angazhimin e tij në luftën e Kosovës, në Luginën e Preshevës dhe në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut.

“Tahir Sinani” është një nga luftëtarët më të spikatur të kësaj çështjeje”, tha Kurti, duke shtuar se ai i përkiste brezit të luftëtarëve që u angazhuan në betejat e fundit të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI.

Tahir Sinani, me origjinë nga Tropoja, ishte ushtarak profesionist dhe një nga komandantët e UÇK-së. Gjatë luftës në Kosovë ai shërbeu si komandant i Zonës Operative të Pashtrikut, ndërsa pas përfundimit të luftës vazhdoi angazhimin në konfliktet shqiptare në Luginën e Preshevës dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai humbi jetën më 29 korrik 2001, në rrethana aksidentale gjatë përgatitjes së mjeteve shpërthyese në kuadër të konfliktit në Maqedoninë e Veriut, së bashku me katër bashkëluftëtarë të tjerë.

Në akademinë përkujtimore morën pjesë familjarë, bashkëluftëtarë dhe përfaqësues institucionalë, të cilët nderuan figurën e gjeneralit Tahir Sinani.