Kur tradhtia u bë komb: Historia e 4 korrikut 1776
Pa asnjë dyshim, ne jemi ende të papërsosur. Por, më tregoni një histori më të mirë për krijimin e një kombi sesa ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nga: Joseph Curl / The Washington Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Gati 250 vjet më parë, 56 burra u mblodhën në Sallën e Kuvendit të Pensilvanisë. Ishte 4 korriku 1776.
Ishin burra të rinj, të paprovuar dhe të padëshmuar. Mbi një duzinë prej tyre ishin 35 vjeç ose më të rinj (një tip i quajtur Thomas Jefferson ishte vetëm 33 vjeç), ndërsa vetëm tetë ishin më të moshuar se 60 vjeç.
Historia ka një mënyrë për t’i lajkatuar protagonistët e saj - duke i shndërruar njerëzit prej mishi e gjaku në statuja mermeri, me dyshimet dhe frikën e tyre të lëmuara prej shekujve të tërë të nderimit.
Por, në ditët para asaj të enjteje vendimtare, burrat që debatonin për pavarësinë amerikane nuk ishin statuja. Ata ishin juristë, bujq, tregtarë dhe dijetarë. Ishin bashkëshortë dhe etër. Dhe, ishin të tmerruar.
Kongresi i Dytë Kontinental po përballej prej kohësh me çështjen nëse duhej të shkëputej nga britanikët, të cilët, megjithëse 3 500 milje larg (me anije, ta keni parasysh), ende i kontrollonin Kolonitë. Mbreti George III ishte, në fund të fundit, paksa budalla.
Lexo po ashtu:
- Fushata e marrëdhënieve me publikun që e bindi Amerikën për pavarësinë
- Jeffersoni ndryshoi rrjedhën e historisë
- Ky 250-vjetor i Amerikës është një mundësi e përkryer për t’u thelluar në historinë tonë të vërtetë
Për hir të së vërtetës, nuk ishte, siç sugjerojnë disa rrëfime të romantizuara, një zgjedhje unanime ose e qartë.
John Dickinsoni nga Pensilvania, një nga mendjet më të respektuara juridike të brezit të tij, refuzoi ta nënshkruante. Ai besonte se pajtimi me Britaninë ishte ende i mundur - madje i dëshirueshëm. Nuk ishte frikacak dhe as besnik i përzemërt i Kurorës; ishte pragmatist që kuptonte se çfarë do të thotë vërtetë lufta.
Dhe, lufta tashmë kishte filluar. Leksingtoni dhe Konkordi kishin ndodhur më shumë se një vit më parë. Njerëzit tashmë po vdisnin. Çështja nuk ishte më nëse Kolonitë dhe Britania ishin në konflikt; çështja ishte nëse ai konflikt do të bëhej i përhershëm dhe i pakthyeshëm.
Jeffersoni, i ngarkuar me hartimin e Deklaratës, kishte javë të tëra që punonte mbi dokumentin. I shkëlqyer, po, por edhe krejt i vetëdijshëm se po shkruante diçka që mund të bëhej ose teksti themelues i një kombi të ri, ose prova kryesore në gjyqin e tij për tradhti. Këto nuk ishin mundësi që përjashtonin njëra-tjetrën.
Ky është detaji që lexuesit e sotëm më së shpeshti e kalojnë pa vënë re: ajo që po bënin këta burra ishte tradhti. Jo në kuptimin filozofik. Jo në kuptimin metaforik. Juridikisht, sipas ligjit britanik, nënshkrimi i një deklarate pavarësie dënohej me varje nga Kurora.
Benjamin Franklini, i cili në moshën 70-vjeçare ishte burrështetasi më i moshuar i grupit, thuhet se bëri këtë shaka teksa delegatët përgatiteshin të nënshkruanin: “Duhet të varemi të gjithë bashkë, përndryshe, pa asnjë dyshim, do të varemi secili veçmas.”
Këta ishin burra që kishin çfarë të humbnin. John Hancocku, nënshkrimi i të cilit do të bëhej aq i madh dhe i guximshëm siç emri i tij u bë sinonim i aktit të nënshkrimit, ishte një nga tregtarët më të pasur në Koloni. Ai po vinte gjithçka në rrezik.
Po ashtu edhe Robert Morrisi, i cili më vonë do të financonte personalisht një pjesë të rëndësishme të Luftës Revolucionare. Po ashtu edhe Benjamin Harrisoni, trashëgimia familjare e të cilit ishte thellësisht e lidhur me rendin shoqëror të Virxhinias.
Përfytyrimi popullor shpesh i paraqet Etërit Themelues si idealistë, dhe ata ishin të tillë. Por, ata ishin gjithashtu burra jashtëzakonisht racionalë, të cilët i kishin peshuar kostot. Fakti që, megjithatë, vazhduan përpara është ajo që e bën atë çast të jashtëzakonshëm.
Idetë nuk ishin të reja, por lëvizja ishte. Jeffersoni u mbështet gjerësisht te mendimtari iluminist i shekullit XVII, John Locke, i njohur zakonisht si “babai i liberalizmit” dhe te ideja e tij për traditën e të drejtave natyrore, e cila prej dekadash kishte fituar një vrull intelektual.
Idetë e shprehura në Deklaratë - se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë (epo, jo ata me ngjyrë, por kjo është një histori krejt tjetër të cilën Amerika ende po përpiqet ta ndreqë), se qeveritë i nxjerrin pushtetet e tyre të ligjshme nga pëlqimi i të qeverisurve - nuk u shpikën në Filadelfia. Ato u sintetizuan, u mprehën dhe më pas u zbatuan në një mënyrë që nuk ishte provuar kurrë më parë në këtë shkallë.
Kjo nuk është gjë e vogël. Filozofia dhe veprimi ndahen nga një humnerë e madhe, të cilën shumica e ideve nuk arrijnë ta kapërcejnë. Burrat që ndodheshin në atë sallë, në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut 1776, po përpiqeshin të ndërtonin një urë mbi atë humnerë, në kohë reale - ndërsa lufta zhvillohej, kolegët e tyre debatonin, vapa e verës e bënte Sallën e Kuvendit të Pensilvanisë pothuajse të padurueshme dhe anijet luftarake britanike qëndronin në portin e Nju-Jorkut.
Udhëheqja, në kuptimin e saj më bazik, është gatishmëria për të vepruar në kushte të një pasigurie të thellë. Etërit Themelues nuk e dinin se do të fitonin. Në të vërtetë, kishin çdo arsye të mendonin se do të pësonin një humbje të madhe. Nuk e dinin nëse republika e tyre do të mbijetonte. Nuk mund ta kishin imagjinuar se dokumenti që Jeffersoni po hartonte do të vazhdonte të kremtohej pothuajse 250 vjet më vonë.
Në vend të sigurisë, ata kishin bindje - dhe disiplinën për të vepruar sipas saj. Kishin ndershmërinë intelektuale për të pranuar se çfarë po rrezikonin dhe seriozitetin moral për të besuar se ajo që ishte në lojë e justifikonte atë rrezik.
Më 2 korrik 1776, Kongresi votoi për pavarësinë. John Adamsi i shkroi bashkëshortes së tij, Abigailit, se ajo datë do të kremtohej nga brezat e ardhshëm me festa madhështore. Gaboi vetëm për dy ditë - Deklarata u miratua zyrtarisht më 4 korrik - por, intuita e tij ishte e saktë. Kishte ndodhur diçka e thellë.
Në ditët menjëherë para kësaj, një grup burrash të papërsosur, të frikësuar dhe jashtëzakonisht seriozë u ulën së bashku në një sallë të nxehtë dhe zgjodhën të vinin gjithçka bast mbi një ide.
Kjo, më shumë se çdo gjë tjetër, ia vlen të kujtohet. Pa asnjë dyshim, jemi ende të papërsosur. Por, më tregoni një histori më të mirë për krijimin e një kombi sesa ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/


