Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, dhe dy zyrtarë të tjerë të lartë për vizitë zyrtare në SHBA
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi, si dhe prokurorin special, Naim Abazi, kanë nisur një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ftesë të institucioneve amerikane.
Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial, gjatë qëndrimit në Washington, përfaqësuesit e sistemit prokurorial të Kosovës do të marrin pjesë në aktivitete zyrtare dhe do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë amerikanë.
Po ashtu thuhet se si pjesë e agjendës, ata do të marrin pjesë edhe në ceremonitë e organizuara me rastin e Lutjeve të Mëngjesit (National Prayer Breakfast), një ngjarje tradicionale me karakter institucional dhe ndërkombëtar, në të cilën marrin pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore nga vende të ndryshme të botës.
Sipas njoftimit të publikuar më 02.02.2026, në kuadër të kësaj vizite pritet të diskutohen mundësitë për avancimin e bashkëpunimit profesional dhe krijimin e partneriteteve ndërshtetërore, me qëllim të rritjes së efikasitetit në ushtrimin e detyrave dhe kompetencave institucionale, si dhe forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë.


