Please enter at least 3 characters.

Krahasimi mes forcave ushtarake të Tajlandës dhe Kamboxhias

Në orët e para të mëngjesit të sotëm forcat tajlandeze dhe ato kamboxhiane kanë shkëmbyer sulme me armë zjarri – ku si pasojë është raportuar për 12 civilë të vrarë.

Reuters dhe Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, kanë bërë këtë krahasim të forcave ushtarake të Tajlandës dhe Kamboxhias, transmeton Telegrafi.

Buxhetet dhe këmbësoria

Kamboxhia kishte një buxhet mbrojtjeje prej 1.3 miliardë dollarësh në vitin 2024 dhe 124,300 personel ushtarak aktiv. Forcat e armatosura u krijuan në vitin 1993 nga bashkimi i ish-ushtrisë komuniste të vendit dhe dy ushtrive të tjera të rezistencës.

Nga kjo, ushtria kamboxhiane është forca më e madhe, me 75,000 ushtarë, më shumë se 200 tanke dhe rreth 480 copë sisteme artilerike.

Tajlanda, të cilën SHBA-të e klasifikojnë si një aleat të madh jo-NATO, ka një ushtri të madhe dhe të financuar mirë, me një buxhet mbrojtjeje prej 5.73 miliardë dollarësh në vitin 2024 dhe më shumë se 360,000 personel aktiv të forcave të armatosura.

Ushtria ka 245,000 personel, duke përfshirë rreth 115,000 rekrutë, 400 tanke, më shumë se 1,200 transportues të blinduar personeli dhe 2,600 armë artilerie.

Ajo gjithashtu ka flotën e vet të aeroplanëve: aeroplanë pasagjerësh, helikopterë si dhjetëra Black Haëk të prodhuar në SHBA, dhe mjete ajrore pa pilot.

Forcat ajrore

Forca ajrore e Kamboxhias ka 1,500 personel, me një flotë relativisht të vogël aeroplanësh, duke përfshirë 10 aeroplanë transporti dhe 10 helikopterë transporti.

Ajo nuk ka aeroplanë luftarakë, por ka 16 helikopterë shumëfunksionalë, duke përfshirë gjashtë Mi-17 të epokës sovjetike dhe 10 Z-9 kinezë.

Tailanda ka një nga forcat ajrore më të pajisura dhe të trajnuara në Azinë Juglindore, me rreth 46,000 personel, 112 aeroplanë të aftë për luftë, duke përfshirë 28 F-16 dhe 11 aeroplanë luftarakë suedezë Gripen, dhe dhjetëra helikopterë.

Forcat marinare

Flota marinare kamboxhiane ka rreth 2,800 personel, përfshirë 1,500 këmbësorë detarë, me 13 anije patrullimi dhe luftarake bregdetare dhe një mjet zbarkimi amfib.

Flota marinare e Tajlandës është shumë më e madhe, me gati 70,000 personel, që përfshin aviacionin detar, marinsat, mbrojtjen bregdetare dhe rekrutët.

Ajo ka një aeroplanmbajtëse, shtatë fregata, 68 anije patrullimi dhe luftarake bregdetare, dhe disa anije amfibe dhe zbarkimi të afta të mbajnë qindra trupa secila dhe 14 mjete zbarkimi më të vogla.

Divizioni i aviacionit detar të Tajlandës ka flotën e vet të aeroplanëve, duke përfshirë helikopterë dhe dronë, përveç një korpusi detar që ka 23,000 personel, të mbështetur nga dhjetëra automjete luftarake të armatosura. /Telegrafi/