Please enter at least 3 characters.

Komuna e Pejës hap thirrje për 65 traktorë me bashkëfinancim

Komuna e Pejës ka njoftuar se është hapur thirrja publike për furnizim me mekanizëm bujqësor, konkretisht për 65 traktorë me fuqi motorike minimale 35 kW/47 hp, të dedikuar për fermerët e kësaj komune, me model bashkëfinancimi ku aplikuesit duhet të participojnë me 40 për qind të vlerës së përgjithshme.

Sipas njoftimit, përparësi në përzgjedhje do të kenë fermerët që kanë bagëti/gjedhe të regjistruara në sistemin eFR (NIF), ata që nuk kanë qenë përfitues të thirrjeve publike vitin e fundit, si dhe fermerët që merren me kultura bujqësore (përfshirë drithërat – me përparësi misrin dhe grurin), perime, pemë të imta dhe pemë drufrutore.

Po ashtu, përparësi pritet t’u jepet zonave rurale me aktivitet të lartë bujqësor dhe mungesë të mekanizimit modern, fermerëve që dëshmojnë se bujqësia është veprimtari kryesore familjare dhe burim kryesor i të ardhurave, si dhe familjeve me angazhim familjar në bujqësi.

Nga komuna bëhet e ditur se aplikimi bëhet me dokumentacionin përkatës, përfshirë formularin e aplikimit (që merret në zyrat e Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi), kopjen e letërnjoftimit, certifikatën e fermerit (NIF) me anekse, certifikatën e bashkësisë familjare dhe fletën poseduese.

Në njoftim theksohet se lejohet vetëm një aplikim për familje, ndërsa komisioni komunal do të realizojë vizita në terren për verifikimin e të dhënave dhe gjendjes së deklaruar të mekanizmit.

Afati për aplikim është nga 25 maji deri më 15 qershor 2026, nga ora 08:00 deri në 16:00, ndërsa dorëzimi i aplikacioneve bëhet në sportelet e objektit të Administratës Komunale të Pejës. /Telegrafi/