Please enter at least 3 characters.

Komandanti i KFOR-it diskuton situatën e sigurisë me gjeneralin britanik Glendenning

Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur në takim komandantin e Brigadës së 3-të Sulmuese të Zbulimit të Thellë, gjeneralin David Glendenning, në shtabin e KFOR-it në kampin “Film City”.

Sipas njoftimit zyrtar të KFOR-it, gjatë takimit dy gjeneralët kanë shkëmbyer pikëpamje lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe zhvillimet në rajonin më të gjerë.

Gjeneralmajor Ulutaş ka shprehur vlerësimin e tij të sinqertë për kontributin e vazhdueshëm dhe të vlefshëm të Mbretërisë së Bashkuar në kuadër të misionit të KFOR-it, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë.

Në njoftim rikujtohet se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, me qëllim të kontribuojë në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Po ashtu, thuhet se KFOR-i vepron në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.