Please enter at least 3 characters.

Kjo nyje limfatike zbulon e para nëse kanceri po përhapet

Prania ose mungesa e qelizave malinje në këtë pikë kyçe ndihmon mjekët të zgjedhin hapat e ardhshëm të trajtimit

A e dini çfarë është nyja limfatike sentinel, e ashtuquajtura “roje”? Bëhet fjalë për nyjen e parë limfatike ku mbërrijnë qelizat nga zona e tumorit dhe e cila mund të tregojë e para nëse sëmundja po përhapet. Pikërisht për këtë arsye, analiza e saj ka rol të rëndësishëm në marrjen e vendimeve për trajtimin e mëtejshëm.

Si marrin pjesë nyjet limfatike në përhapjen e sëmundjes

Nyjet limfatike janë organe të vogla, por shumë të rëndësishme të sistemit limfatik, të shpërndara në të gjithë trupin dhe të lidhura me rrjetin e enëve limfatike. Nëpër to qarkullon vazhdimisht limfa, një lëng i kthjellët që largon nga indet tepricën e lëngjeve, mbetjet metabolike, por edhe qelizat e sistemit imunitar, mbi të gjitha limfocitet.

Roli i nyjeve limfatike nuk është vetëm “filtrim pasiv”. Ato marrin pjesë aktivisht në përgjigjen imunitare, njohin dhe ndalojnë bakteret, viruset, por edhe qelizat e dëmtuara ose të ndryshuara. Pikërisht për shkak të këtij funksioni, ato përfaqësojnë një nga vendet e para ku mund të ndalen edhe qelizat tumorale që janë shkëputur nga tumori primar.

Te një numër i madh sëmundjesh malinje, përhapja nuk shkon menjëherë në organet e largëta, por fillimisht prek nyjet limfatike pranë tumorit. Prandaj statusi i tyre ka vlerë të rëndësishme diagnostike dhe prognostike.

Nyja limfatike sentinel – e para në vijë

Nyja limfatike sentinel përkufizohet si nyja e parë ku mbërrin limfa nga zona e tumorit, pra vendi ku ekziston mundësia më e madhe që të shfaqen qelizat e para metastatike.

Është e rëndësishme të theksohet se nyja sentinel nuk është e “përcaktuar” paraprakisht, pozicioni i saj varet nga rruga anatomike e drenazhit limfatik të organit ose regjionit përkatës. Te kanceri i gjirit, këto janë më së shpeshti nyjet në sqetull, ndërsa te melanoma gjenden në pellgun limfatik më të afërt me vendin e ndryshimit në lëkurë. Në raste të caktuara mund të ekzistojnë edhe disa nyje sentinel, transmeton Telegrafi.

Çfarë është biopsia e nyjes limfatike sentinel dhe pse bëhet

Biopsia e nyjes limfatike sentinel përfaqëson procedurë standarde diagnostike me të cilën vlerësohet nëse ka ndodhur përhapja e sëmundjes jashtë tumorit primar.

Procedura nënkupton identifikimin e kësaj nyjeje “të parë”, heqjen e saj kirurgjikale dhe analizën patohistologjike. Gjetja ka ndikim të drejtpërdrejtë në përcaktimin e stadit të sëmundjes dhe planin e mëtejshëm terapeutik.

Rezultati negativ do të thotë se në atë nyje nuk ka qeliza tumorale dhe se gjasat e përhapjes në nyje të tjera limfatike janë të vogla. Rezultati pozitiv tregon praninë e metastazave dhe rrezik më të lartë të përhapjes së mëtejshme, gjë që kërkon vlerësim shtesë dhe shpesh qasje tjetër terapeutike.

Si gjendet “roja”

Që nyja sentinel të lokalizohet me saktësi, pranë tumorit injektohet marker radioaktiv, ngjyrë speciale ose kombinim i të dyjave. Këto substanca ndjekin rrjedhën natyrale të limfës dhe “shënojnë” nyjen e parë ku ajo mbërrin.

Kirurgu më pas, me ndihmën e sondës ose vizualisht, e identifikon atë nyje dhe e heq përmes një prerjeje të vogël. Procedura kryhet më së shpeshti njëkohësisht me operacionin për largimin e tumorit, por mund të bëhet edhe veçmas, varësisht nga situata klinike.

Përparësitë ndaj heqjes klasike të nyjeve limfatike

Më herët, te disa kancere hiqej në mënyrë rutinore një numër më i madh nyjesh limfatike nga një regjion i caktuar, gjë që rritte rrezikun e komplikimeve.

Biopsia e nyjes sentinel mundëson qasje shumë më selektive. Nëse rezultati është negativ, pacienti mund të shmangë operacionin e gjerë dhe pasojat e tij, pa u cenuar saktësia e vlerësimit të sëmundjes.

Kjo qasje sot përfaqëson standard te kanceri i gjirit dhe melanoma, ku studime të shumta kanë treguar se nuk ndikon negativisht në mbijetesë, ndërsa ul ndjeshëm efektet e padëshiruara.

Komplikimet e mundshme dhe kufizimet

Edhe pse bëhet fjalë për procedurë më pak invazive, biopsia e nyjes sentinel mbart rreziqe të caktuara. Më e rëndësishmi ndër to është limfedema, ënjtja që shfaqet për shkak të çrregullimit të rrjedhës limfatike, sidomos nëse hiqet numër më i madh nyjesh.

Mund të paraqiten edhe dhimbje, mpirje, infeksion ose grumbullim i lëngut limfatik në vendin e operacionit. Gjithashtu, ekziston mundësia e rezultatit rremë negativ, kur nyja sentinel nuk përmban qeliza tumorale, edhe pse ato tashmë janë përhapur më tej.

Për këtë arsye, rezultatet gjithmonë interpretohen në kontekstin e tërë pasqyrës klinike. /Telegrafi/