KFOR-i nuk e lejon as UNMIK-un në kufi
Pika kufitare 1 ka mbetur e mbyllur dhe e rrethuar me tel me gjemba në rrethin prej afër 500 metrave. Kështu ishte deri në orën 17:00, kur u hoq barrikada e vendosur nga serbët pas 27 shtatorit. Pas kësaj edhe pjesëtarë amerikanë e gjermanë të KFOR-it u tërhoqën në bazë dhe i lejuan gazetarët deri te teli me gjemba.
Edhe ushtarët grekë të KFOR-it përbrenda telave po i instalojnë pozicionet, kurse prapa tyre qëndrojnë doganierët dhe policët e EULEX-it, njofton Blic, raporton Koha. Ndërkohë mësohet se zëvendësshefi i UNMIK-ut, Robert Sorensen ka marrë të hënën rolin e ndërmjetësit ndërmjet serbëve e KFOR-it në Jarinje.
Paqeruajtësit amerikanë dhe grekë kanë përdorur një buldozer për të hequr gurët e vënë nga serbët në njërën nga rrugët në veri të Kosovës. Pamjet e AP-së treguan dhjetëra paqeruajtës të armatosur, duke u vendosur pranë vendkalimit kufitar të Jarinës, për të siguruar zonën. Lideri i serbëve lokalë, Branko Miniq, tha se komuniteti i tij do të shkarkojë më shumë gurë në rrugë, për të krijuar një pengesë të re. /Telegrafi/


