Please enter at least 3 characters.

Kërkesat për trajtim shëndetësor në banjat termale në rritje

Kërkesat për trajtim shëndetësor në qendrat rehabilituese me burime të ujërave termale janë shtuar dukshëm gjatë vitit që lamë pas. Mjekët në Qendrën Rehabilituese në Kllokot dhe ata në Banjë të Pejës thonë se burimet natyrore të ujërave termale kanë veti shëruese për shumë sëmundje, veçanërisht ato ortopedike.

Burimi i ujit termal në fshatin Kllokot të komunës së Vitisë bartet brenda qendrës rehabilituese dhe shfrytëzohet për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme. Doktori që e ka nisur profesionin në këtë qendër dhe po e vazhdon punën edhe pas pensionimit, thotë se ky ujë ka fuqi shëruese që në shumë raste mund të zëvendësojë edhe medikamentet.

“Mungon edukata shëndetësore jo vetëm tek popullata por edhe te personeli shëndetësor, një pjesë e tyre nuk kanë njohuri se si mund të ndikojë një banjë e tillë, i ngarkojnë pacientet aq shumë me medikamente, kurse efektet e këtij uji dhe mjekimit këtu nuk kanë kurrëfarë indikacione, me përjashtim që mjeku që e jep terapinë duhet të ketë kujdes se çfarë gjendje shëndetësore gjendet organizimi i atij pacienti”, tha Shasivar Musliu, specialist fiziatër.

Sipas pronarit të Banjës së Kllokotit, vlera të ngjashme të këtij uji janë gjetur edhe në disa shtete të tjera evropiane.

“Sipas vlerësimit të dhënë nga ekspertë të ish-shtetit jugosllav, banja e ngjashme është në Çeki dhe Rusi. Në perëndim banjat ma shumë përdoren gjatë dimrit e sa verës, këtu tek ne është më ndryshe”, tha Nezir Rexhepi.

Një tjetër burim i rëndësishëm i ujërave termale ndodhet edhe në Banjë të Pejës. Sipas mjekëve, ky ujë ka veti të veçanta shëruese sidomos për problemet shëndetësore të lëkurës.

“Karakteristikë e këtij uji më shumë është për sëmundjet vaskulare, d.m.th. edhe për sëmundjet post traumatike, neurologjike, gjinekologjike, urologjike etj, por edhe te sëmundjet e lëkurës është karakteristikë se përmbajtja e sulfurit ka ndikim shumë të mirë në lëkurë”, tha dr. Hyrije Blakaj, specialiste fiziatër.

Përveç Kllokotit dhe Banjës së Pejës, burim i ujit termal ekziston edhe në Banjskë të Mitrovicës, por ky kompleks nuk është rikthyer në shërbim për qytetarët që nga viti 2000.

Mjekët e qendrave rehabilituese vlerësojnë se burimet natyrore të ujërave termale përbëjnë një pasuri të rëndësishme shëndetësore për Kosovën, e cila ende nuk është shfrytëzuar në potencialin e saj të plotë./RTK