Kandidatët për deputetë do t’i nënshtrohen verifikimit institucional nga KQZ
Partitë politike duhet që gjatë së martës t’i dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Ndërkohë, KQZ-ja ka bërë të ditur se të gjithë kandidatët që synojnë të garojnë për Kuvendin e Kosovës do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit institucional, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
Sipas KQZ-së, përmes këtij procesi do të shqyrtohet nëse kandidatët i plotësojnë kriteret ligjore për certifikim, bazuar në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se institucioni do t’u drejtohet organeve relevante për të kryer verifikimet e nevojshme për kandidatët që synojnë të certifikohen.
“Në kuadër të përmbushjes së obligimeve ligjore që kanë të bëjnë me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për certifikim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’u dërgojë institucioneve relevante kërkesat për verifikim, së bashku me listën e kandidatëve që synojnë të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të vlerësimit nëse ata janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore”, deklaroi Elezi.
Procesi i verifikimit konsiderohet një nga hapat kryesorë para certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.


