Please enter at least 3 characters.

Kamberi: Pyjet në zonat e mbrojtura kanë biodiversitet të pasur, por gjendja e tyre mbetet sfiduese

Nexhmije Kamberi


Pyjet e Kosovës përbëjnë rreth 45 për qind të territorit të vendit, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre ndodhet brenda zonave të mbrojtura, përfshirë rezervatet strikte, parqet kombëtare dhe peizazhet e mbrojtura.

Kështu u tha në kuadër të serisë së podcasteve që pasqyrojnë rezultatet e programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi - FAO me mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Suedia.

Në episodin e pestë të serisë së podcasteve “Duaj e Ruaj Pyjet” mysafire ishte Nexhmije Kamberi, zyrtare për biodiversitet në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, e cila tha se pyjet në zonat e mbrojtura kanë rëndësi të veçantë për ekosistemin.

“Pyjet brenda këtyre zonave karakterizohen me biodiversitet shumë të pasur dhe kanë rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit ekologjik, mbrojnë burimet ujore dhe ndikojnë në mikroklimë,” u shpreh Kamberi shkruan Telegrafi.

- YouTubewww.youtube.com

Sipas Kamberit, pavarësisht statusit ligjor, gjendja e pyjeve në zonat e mbrojtura vazhdon të jetë problematike.

“Sa i përket gjendjes së pyjeve në zonat e mbrojtura, gjendja është ende sfiduese,” tha ajo.

Ajo theksoi se kërcënimet kryesore lidhen me aktivitetet ilegale dhe faktorët klimatikë.

“Në radhë të parë, prerjet e pakontrolluara mbesin shqetësim kryesor, sepse shkaktojnë reduktimin e biodiversitetit,” theksoi Kamberi transmeton Telegrafi.

“Zjarret janë gjithashtu problematikë, ndërsa ndryshimet klimatike ndikojnë negativisht përmes rritjes së temperaturave dhe paraqitjes së thatësisë, që mundëson shfaqjen e parazitëve dhe dëmtuesve,” shtoi ajo.

Kamberi vuri në pah edhe ndikimin e ndërtimeve infrastrukturore.

“Ndërtimet infrastrukturore që po ndodhin në zonat e mbrojtura ndikojnë në defragmentimin e habitateve dhe zvogëlojnë sipërfaqet pyjore,” tha ajo.

Duke folur për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, Kamberi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional.

“Bashkëpunimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse mundëson shkëmbimin e njohurive dhe përmirësimin e gjendjes në terren,” u shpreh ajo.

Ajo vlerësoi edhe sistemet digjitale të të dhënave për pyje të prezantuara nga programi i FAO-s.

“Sistemet digjitale lehtësojnë koordinimin institucional dhe rrisin transparencën, duke bërë të mundur qasjen e publikut dhe institucioneve në të dhëna të verifikuara,” tha Kamberi.

“Ato përmirësojnë monitorimin e pyjeve përmes analizave në kohë reale, duke përdorur imazhe satelitore dhe GIS,” shtoi ajo.

Kamberi përmendi edhe shembuj konkretë të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.

“Një shembull konkret është ripyllëzimi në Komunën e Dragashit, i mbështetur nga FAO, i cili ka ndikuar pozitivisht në gjendjen e ekosistemeve pyjore,” tha ajo.

“Po ashtu, falë bashkëpunimit institucional dhe angazhimit të vullnetarëve, është arritur të parandalohet dhe menaxhohet zjarri në rajonin e Prevallës,” shtoi Kamberi.

Në mesazhin përmbyllës, Kamberi theksoi rëndësinë e pyjeve për jetën dhe shëndetin publik.

“Mjedisi natyror, biodiversiteti dhe pyjet janë pasuri e jashtëzakonshme e vendit tonë dhe ruajtja e tyre është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë neve. Pyjet janë të rëndësishme për stabilitetin ekologjik, për shëndetin publik dhe për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Prandaj, pyjet duhet t’i ruajmë bashkërisht,” përfundoi Kamberi.

Ky podcast është pjesë e serisë së podcasteve të programit Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO. Video është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Suedisë. Përmbajtja e saj nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe Suedisë./Telegrafi/