Please enter at least 3 characters.

"Kam humbur pasionin për futbollin në dy vitet e fundit" - Grealish për periudhën te Man City

Everton ka hapur një kapitull të ri në historinë e klubit, duke luajtur ndeshjen e parë në stadiumin e tyre të ri, "Hill Dickinson", 133 vjet pas inaugurimit të legjendarit Goodison Park.

Ndeshja përfundoi me fitore 2-0 ndaj Brighton, ndërsa atmosfera u përforcua me fishekzjarre dhe re të mëdha tymi të kaltër.

Golin e parë për Everton e shënoi Ilman Ndiaye në minutën e 23-të, ndërsa James Garner vulosi rezultatin në minutën e 52-të. Në të dy golat asistoi Jack Grealish, i cili u shpreh pas ndeshjes se ndihej i lumtur që po rikthehej për të shijuar futbollin.

“U ndjeva mirë sot. Në dy vitet e fundit ndonjëherë kam humbur pasionin për futbollin, jo plotësisht, por nuk e kam shijuar si duhet, veçanërisht gjatë kohës në Manchester City. Për mua, gjëja më e rëndësishme ishte të vija këtu dhe të shijoja të luaja çdo ditë”.

“Familja ime e kuptonte këtë kur isha në shtëpi. Nuk ka të bëjë me askënd tjetër, por me mua. Unë e dua absolutisht futbollin dhe dua të rikuperoj ndjesinë kur zgjohesh ditën e ndeshjes dhe mezi pret të futesh në fushë. Kështu u ndjeva sot, dhe shpresoj që kjo të duket edhe në lojën time”, ka thënë Grealish për beIN Sports. /Telegrafi/