Kacafytën pensionistët
Shkas i kësaj pakënaqësie, sharjeve dhe fyerjeve, ishte shfrytëzimi i Objekteve të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës, nga asociacioni tjetër i pensionistëve, e që është Lidhja e Pensionisteve dhe Invalidëve të Kosovës, që për Federatën Sindikale po bëhet në mënyrë të padrejtë dhe për interesa personale të dikujt.
Riza Shala, kryetar i Federatës së Sindikatave të Pensionistëve dhe invalidëve të Punës, tha se objekti në të cilin është e vendosur Lidhja e Pensionisteve dhe invalidëve të Kosovës, po shfrytëzohet për qira dhe për interesa të brendshme të disa individëve.
Ndërsa thotë se pakënaqësisë i ka ardhur fundi. “Pakënaqësisë i ka ardhur fundi. Përveç asaj që pensionistet nuk po i realizojmë, kemi probleme kyçe edhe me zotëritë që udhëheqin Lidhjen e pensionistëve të Kosovës dhe organizatës së pensionistëve të kësaj ndërtese. Të cilët në vend se me bashkëpunuar me neve, në vend se me i ba forcat bashkë edhe me interesa të pensionisteve dhe me fuqi të përbashkët me i realizuar, ata kanë qëndrime tjetër. Kjo ndërtese e ndërtuar për pensionistët, në vend se me u përdor për nevojat e pensionisteve, kjo përdoret për qira dhe qiraja përdoret për interesa personale. Këtë pensionistët e kanë dënuar. Dhe në këtë aspekt Federata e sindikatës, ka paralajmëruar dhe paralajmëron se çdo ditë do të mbahen protestat, duke filluar prej sot”, tha ai.
Por Shala teksa fliste për problemet që kanë pensionistet , atij iu vërsulen pensionistet tjerë, të cilët ishin të pakënaqur me atë se çfarë thoshte ai.
Edhe Sylejman Meta, kryetar i këshillit koordinues, tha se objektet e ndërtuara nga kontributet e të gjithë pensionistëve, po shfrytëzohen në mënyrë të njëanshme, për përfitime personale dhe grupore. “Nga këto ndarje dhe nga këto sjellje të njerëzve që paguhen nga qiratë e këtyre objekteve që shfrytëzohen në mënyrë të njëanshme, nuk jemi bashkë që 12 vite prej themelimit. Së fundi dje kanë treguar gatishmëri të bashkëpunojmë, që lokalet të shfrytëzohen, në mënyrë të barabartë, që të kemi një qëndrim në zgjidhjen e pensionistëve”, tha ai.
Por Lidhja e Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës, i quan të pabaza, jo të sinqerta dhe qëllimkëqija, protestat dhe akuzat, që atyre po iu bëhen nga Federata e Sindikatave të Pensionistë ve të Kosovës.
Shaban Kajtazi, kryetar i Lidhjes së Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës, thotë se akuzat e drejtuara për keqpërdorime të qirasë janë të pavërteta. “Asnjë e vërtetë nuk është, çfarë ka thënë për keqpërdorime. Le të urdhërojnë organet e Qeverisë, le të vijnë t’i këqyrin financat, se a janë keqpërdor apo jo. Merren disa qira. Ato shkojnë për ndihma në ushqim, për ndihma në deti, për ndihma të varrimit..Ky është një pretendim i tyre, shkoni ju, të vijmë ne”, thotë ai.
Ndërsa Shaip Vitija, kryetar i organizatës komunale të pensionerëve të Prishtinës, shkon edhe më tej, duke pohuar se e tërë kjo tollovi e krijuar është ndër të tjerash dhe si rezultat i pakënaqësisë së përfaqësuesve të Federatës së sindikatave të pensionistëve, që ka ardhur pas takimit të Shaban Kajtazit me Hashim Thaçin dhe shtrëngimit të duarve me kryeministrin. “ Riza shala, është i mësuar për këto sende dhe i lindur për probleme. Riza Shala mendon me ardh e me u ul këtu, por pensionerët janë aq të vetëdijshëm, që ndoshta e keni parë sa pak e çka iu thanë..Ata aspak nuk kanë të drejtë“, tha ai.
Ndryshe, Federata e Sindikatave të Pensionistëve të Kosovës paralajmëron se nuk do të ndalen dhe se do të protestojnë çdo ditë deri te enjten, duke kërkuar realizimin e kërkesave të tyre, e që janë dhe nxjerrja e një Ligji për pensionet, i cili është i ngjashëm me vendet e rajonit, e i cili siguron pensione në bazë të punës dhe kontributeve të paguara.
Ndëra kërkesat tjera, do të jetë dhe mesatarja e pensionit, të mos jetë më e vogël se 60 për qind e mesatares së pagave të punëtorëve. /Telegrafi/


