Please enter at least 3 characters.

Juventusi nis bisedimet për huazimin e yllit të Real Madridit

Real Madridi i ka propozuar Juventusit huazimin e Franco Mastantuonos, ndërsa dy klubet vazhdojnë negociatat në disa fronte gjatë kësaj vere. Talenti argjentinas mund të shndërrohet në një zgjidhje me kosto të ulët për rindërtimin e repartit ofensiv të “Zonjës së Vjetër”.

Sipas raportimeve të Tuttosport, drejtuesit madrilenë janë të interesuar t’i gjejnë Mastantuonos një klub evropian ku ai mund të luajë rregullisht sezonin e ardhshëm, duke pranuar se në edicionin 2026/27 ai vështirë se do të ketë një vend titullari në “Santiago Bernabeu”.

Një shitje përfundimtare nuk merret fare në konsideratë, pasi Real Madridi beson fuqishëm në potencialin e 18-vjeçarit. Huazimi shihet si zgjidhja ideale, duke ndjekur modelin e përdorur dy vite më parë me Nico Paz, i cili u transferua te Como për të fituar më shumë minuta në nivel të lartë.

Megjithatë, Juventusi po tregohet i kujdesshëm. Drejtuesit bardhezi duan fillimisht të vlerësojnë nëse profili i Mastantuonos përshtatet me sistemin e trajnerit Luciano Spalletti, veçanërisht duke pasur parasysh revolucionin e madh që po ndodh në repartin ofensiv pas largimit të Dusan Vlahovicit dhe Arkadiusz Milikut, si dhe largimeve të pritshme të Jonathan David dhe Lois Openda.

Nga ana tjetër, Real Madridi nuk është i gatshëm të presë pafundësisht për një vendim. Klubi spanjoll tashmë ka kontaktuar edhe disa skuadra të tjera të Serie A, përfshirë ekipe që nuk do të luajnë në garat evropiane, ku Mastantuono do të kishte më shumë mundësi për të siguruar minuta të rregullta.

Ndërkohë, bisedimet mes Juventusit dhe Real Madridit për Gonzalo Garcian vazhdojnë.

Megjithatë, në këtë rast marrëveshja do të strukturohej si transferim i përhershëm me një klauzolë riblerjeje në favor të klubit madrilen, dhe jo si huazim./Telegrafi/