Jo formimit të Këshilli Nacional të bazuar në ligjet diskriminuese serbe
- Nuk mjafton të formohet Këshilli Nacional i Shqiptarëve të Kosovës Lindore, vetë me njerëzit që janë të kyçur në Trupin Koordinues dhe në pushtetin lokal të Serbisë -
Shqiptarëve të Kosovës Lindore nuk iu nevojitet formimi i Këshilli Nacional i bazuar me ligjet diskriminuese serbe dhe me një Kushtetutë të cilën vet e kanë kundërshtuar, madje as votuar në Parlament. Gjithashtu, duke ia përkujtuar se kanë kaluar periudhat e errëta, të ligjeve të imponuara me dhunë dhe se ka ardhur koha të jetojmë në proceset e ndryshimeve dhe integrimeve botërore, ku të gjithë popujt do të integrohen në shoqëritë bashkëkohore dhe demokratike.
Procedura
Formimi i Këshillit Nacional me procedurë të shpejtë pa debate publike, madje pa asnjë vërejtje nga subjektet politike shqiptare, vjen si pasojë e insistimit të deputetit republikan Riza Halimi, i cili pas humbjes së pushtetit lokal në Preshevë, provon t’i fut shqiptarët në afera të reja skandaloze politike. Kështu, ai, veproi edhe me zgjedhjet parlamentare dhe me kyçjen në Trupin Koordinues, pa vullnetin e kësaj popullate. Pra, të gjitha këto po bëhen karshi interesave legjitime të popullit shqiptar, të shprehur gjatë Referendumit të 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, ku populli doli masovikisht dhe i thanë po Referendumit, për autonomi territoriale politike me të drejtë bashkëngjitjes me Kosovën.
Iniciativa e përshpejtuar e formimit të Këshillit Nacional, me urgjencë, po bëhet për të kënaqur PVD-në e Rizës, e cila për vite me radhë ishte pengesë e formimit të këtij institucioni, i cili pretendonte të përfshinte një gjirin e tij të gjitha subjektet politike, asociacioneve dhe shoqatave joqeveritare që të integrohen në këtë institucion politik-apartiak, sepse vetëm me një bashkim dhe unitet do të realizohen të drejtat përfundimtare të shqiptarëve të Kosovës Lindore.
Gabimet
PVD-ja e Riza Halimit në vend se të pendohen para popullit për gabimet e bëra, ajo edhe më tej pa turp e cipë merr iniciativa të reja për ta hutuar edhe më shumë popullatën e këtyre trojeve.
Pas betejës të ashpër në spektrin politik shqiptarë të Kosovës Lindore, ndërmjet disa subjekteve politike dhe udhëheqjes së Pushtetarëve Lokal, për kyçjen apo moskyçjen e shqiptarëve në Trupin Koordinues, pushtetarët me shpatën e tyre diktatoriale pa e marrë pëlqimin e popullit, kishin guxim që të pranojnë zyrtarisht centralizimin e dyfishtë, duke u arsyetuar nënshkrimin në Beograd të subjekteve politike dhe kryetarëve të komunave para opinionit, se nuk kanë pasur rrugë tjetër dhe se këtë e kanë bërë nga trysnia dhe presioni ndërkombëtar.
Ato subjekte, të cilët kanë pranuar të kyçjen në Trupin Koordinues, nuk kanë të drejtë morale e as kombëtare të themelojnë Këshill nacional, e as të përpilojnë platformë politike në emër të shqiptarëve, sepse janë të njëjtit subjekte, të cilët deri dje pamëshirshëm e kanë rrënuar çështjen e referendumit të 1 dhe 2 marsit e po ashtu edhe platformën e marrëveshjes së UÇPMB-së. Tashti po të njëjtit njerëz paraqiten me platformë politike kinse për shqiptarët e Luginës e Preshevës.
Orkestrimi
Me çfarë logjike paraqiten po të njëjtit subjekte para opinionit, se Trupi Koordinues multietnik pranë qeverisë dhe përkrahje të ndërkombëtarëve nuk po ka kompetenca për zgjidhjen e problemeve, si është e mundur që të njëjtit njerëz në Trupit Koordinues, në udhëheqjen e pushtetit lokal si dhe udhëheqës të subjekteve politike shqiptare, nuk kanë mundësi për t’i zgjidhur problemet e grumbulluara politikisht, pa u themeluar Këshilli Nacional.
Kjo është vetëm zvarritje e kohës nga politika e Beogradit, si dhe nga disa subjektet politike të shqiptarëve, të cilët me çdo kusht dëshirojnë hakmarrje politike, për ta arsyetuar para opinionit shqiptarë dhe ndërkombëtarë, se të vetmit persona janë ata, të cilët mund ta udhëheqin politikën e Kosovës Lindore.
Dështimi
Prandaj, nuk mund të themelohet Këshilli Nacional i Shqiptarëve të Kosovës Lindore, sepse kjo ide është kurdisur me procedurë të përshpejtuar nga lojërat politike të koordinuara në kuzhinën speciale të Beogradit, për t’ i ngulfatur kërkesat dhe të drejtat e kësaj popullate e cila është ngopur dhe mërzitura nga aferat korruptive, të disa partive politike, të cilat bëjnë shpesh llogari pa hanxhiun.
Këshilli Nacional do të formohet vetëm me përfshirjen e të gjitha subjekteve politike dhe asociacioneve të tjera apolitike, të cilat veprojnë në rajonin e Kosovës Lindore. Çdo përpjekje tjetër do të dështojë, sigurt!


