Jeta pa unin tim
Kultura jonë e vlerëson një un të madh dhe koherent: leximi i Robert Musilit më ndihmon të përqafoj bukurinë e ekzistencës sime pa un.
Nga: Mette Leonard Høeg / aeon.co
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Nuk ndihem sikur kam një un. Shumica e njerëzve që takoj flasin për përvojën e tyre sikur të kenë një qendër të brendshme vetëdijeje - diçka brenda që percepton dhe ndien, një qendër të përvojës së tyre subjektive. Dhe, shumica e njerëzve duket se e lidhin këtë ndjesi intuitive të një uni të vetëm me atë që ata kanë qenë dje, muajin e kaluar, vitin e kaluar - me një histori jete që zhvillohet vazhdimisht dhe që shtrihet deri te kujtimet e tyre më të hershme të fëmijërisë. Gjithmonë e kisha të vështirë të lidhem me njerëz me un kaq të shëndetshëm dhe me narrativa koherente jete. Kur shoh brenda vetes, nuk gjej asnjë qendër vetëdijeje. Nuk duket se është dikush apo se ka diçka në qendër tek unë, asgjë të identifikueshme që gjeneron apo merr përvojë; vetëm mendime dhe ndjenja që nuk duket se janë të ankoruara, modele energjie që ndryshojnë dhe thjesht ndodhin. Po ashtu, nuk mbaj mend shumë nga e kaluara ime gjithashtu. Kur e kujtoj, ajo më vjen në mendje kryesisht si fakt - si pika në CV, të dobishme për funksion shoqëror dhe profesional, por me të cilat ndiej pak lidhje emocionale.
Megjithatë, gjithmonë jam tërhequr prej njerëzve me koncepte të gjera për vetveten dhe me histori koherente jete. Në fakt, kam kaluar një pjesë të mirë të jetës sime profesionale si studiuese dhe kritike letrare - me fokus të veçantë në shkrimin e jetës. Vepra Lufta ime [My Struggle, 2009-2011] e Karl Ove Knausgårdin ishte shembulli kryesor që përdora për tezën time të masterit mbi autoletërsinë [autofiction]. Në mbi tre mijë faqet e kësaj vepre me gjashtë vëllime, autori norvegjez ndjek identitetin e tij nga fëmijëria deri tek uni i tij i rritur në momentin aktual të shkrimit, duke lidhur ngjarjet e gjithë jetës së tij në një rrëfim të vetëm të vazhdueshëm. Ndoshta është rindërtimi më i gjerë i historisë personale të një individi në letërsi, manifestimi më i fortë i identitetit narrativ - një opus i vërtetë i unit të vazhdueshëm.
Vëllimet e fundit u shkruan pas botimit të të parave dhe kështu mund të përfshinin përshkrime metaletrare të përvojës së tij me pritjen e librit të parë të serisë. Më kujtohet një thashetheme në kohën kur Knausgårdi ende nuk e kishte përfunduar Luftën time, se ai synonte qëllimisht të tejkalonte në sasi Marcel Proustin, mjeshtrin e vjetër të rikthimit të përpiktë të së kaluarës. Romani autobiografik thelbësor i Proustit, dhe vetëm pak më i shkurtër, Në kërkim të kohës së humbur [In Search of Lost Time, 1913-1927], ishte një nga shembujt kryesorë të disertacionit tim të doktoratës. Narratori i tij (një version paksa i maskuar i vetë autorit) pohon paqëndrueshmërinë e së kaluarës, pamundësinë për ta mbajtur dhe ruajtur atë në të tashmen, ndërsa në fakt bën pikërisht këtë: e shfaq të kaluarën si realitet në të tashmen përmes rikujtimit dhe rikrijimit letrar të historisë gjysmë-autobiografike të jetës së narratorit - në detaje tepër sensuale dhe evokuese në aspektin emocional.
Ideja e ekzistencës njerëzore si një udhëtim i vazhdueshëm i një uni të vetëm nuk është tipike vetëm për shkrimin e jetës në Evropë, por është konventë e letërsisë dhe kulturës perëndimore në përgjithësi. Në filozofi, kjo është ajo që shohim të konceptualizohet në qasjet esencialiste dhe narrative të vetvetes, të cilat pohojnë se një formë e qëndrueshme e esencës personale dhe një ndjesi koherence narrative nuk janë vetëm të natyrshme për njerëzit, por edhe të domosdoshme për të vepruar moralisht dhe për të bërë një jetë me kuptim.
Të jetosh pa një ndjenjë të unit ose identitetit narrativ, siç bëj unë në një kulturë të unëve të fortë dhe narrativave të mëdha, në shumë mënyra është interesante. Përvoja ime e unit si diçka pa substancë dhe bosh duket se vjen me një fleksibilitet dhe liri të caktuar ekzistenciale dhe, në mënyrë specifike, me një prirje për t’u përthithur në historitë e të tjerëve. Duke pasur pak ose aspak ndjenjë të një thelbi të brendshëm, dhe vetëm një ndjesi të paqartë të kufijve midis meje dhe asaj që është përreth meje, e kam të lehtë të zhytem në letërsinë narrative si dhe në jetën reale të të tjerëve. Kjo mund të shpjegojë pse kufiri midis letërsisë dhe realitetit ka qenë i paqartë në jetën time. Shumica e marrëdhënieve të mia romantike kanë qenë me tregimtarë profesionistë - shkrimtarë, gazetarë, regjisorë - që punojnë në mënyrë krijuese me vetë-përfaqësimin. Jam ngatërruar në eksperimentet narrative të njerëzve të tjerë dhe disa herë jam shfaqur si personazh në histori të publikuara jete. Kjo më ka dhënë përvoja të pasura dhe të thella të zhytjes në botë të tjera dhe në shkrirje me mendje të tjera. Por, gjithashtu gjithmonë jam ndier divergjente, e papasqyruar nga narrativat e ekzistencës njerëzore në të cilat jam zhytur.
Letërsia nuk pasqyron thjesht në mënyrë pasive intuitat dhe idetë tona. Ajo skalit pritshmëritë dhe konceptet tona, ndikon në perceptimin dhe përvojën tonë për vetveten dhe për botën. Ajo skalit dhe shfaq përvojën tonë të përbashkët si kulturë. Më ka ngatërruar fakti që përvoja ime nuk përputhej me atë që lexoja në libra ose që hasja në kulturën përreth meje. Madje, jam trajtuar në mënyrë klinike për çrregullim kufitar të personalitetit - simptomat e të cilit përfshijnë boshllëk të brendshëm, një ndjenjë të paqëndrueshme të identitetit dhe shkëputje. U konsiderova e shëndetshme në aspektin psikologjik (edhe pse një nga psikiatrët më këshilloi me mirësi të kem kujdes kur flas me profesionistët e tjerë shëndetësorë, në të ardhmen, pasi përshkrimi im i pazakontë i përvojës së unit tim mundet, nga një këndvështrim sipërfaqësor mjekësor, të duket patologjik), gjë që ishte një lehtësim. Por, kjo nuk e hoqi ndjenjën time të izolimit ekzistencial. I vetmi vend ku ndihesha e pasqyruar dhe si në shtëpi, si një studente e re e narrativës perëndimore, ishte në letërsinë e Robert Musili.
E lexova për herë të parë Njeriun pa kualitete [The Man Without Qualities, 1930-1943] kur ndiqja studimet e mia të doktoratës mbi shkrirjen e letërsisë dhe faktit në shkrimin për jetën. Në faqet e këtij romani të madh filozofik dhe famëkeq për mos përfundimin e tij, hasa për herë të parë një përshkrim të asaj se si ndihej ekzistenca që përputhej me përvojën time.
Në mënyrë domethënëse, titulli i romanit shpesh është marrë si sugjerim se protagonisti i romanit, Ulrihu, vuan nga një krizë identiteti, duke qenë se supozimi i parazgjedhur që të jetosh pa cilësi të fiksuara ose pa një un të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm duhet të të çojë në një shqetësim ekzistencial, në përputhje me pikëpamjen narrative dhe esencialiste të kulturës sonë për personalitetin. Titulli, në fakt, ishte menduar të shënonte të kundërtën: Musili përvijon një ideal ekzistencial që përputhet me intuitën time minoritare që nuk është esencialiste dhe as narrative. Në të vërtetë, titulli mund të keqe qenë po ashtu njeriu pa un.
Në aspektin filozofik, romani ndjek mësimin mijëvjeçar budist të anattā-s, doktrinën e mungesës së unit: pikëpamjen që ndjenja se ekziston një qendër e vetëdijes sonë është iluzion, se nuk ka vëzhgues, nuk ka dikë që përjeton ose mendon, ka vetëm përvoja kalimtare - perceptime, ndjesi dhe formime mendore që vazhdimisht lindin dhe zhduken. Musili e kombinon këtë pikëpamje filozofike me një përshkrim shkencor materialist të personalitetit, ndikuar nga matematikani dhe filozofi austriak Ernst Mach, për të cilin ai shkroi tezën e doktoratës. I frymëzuar nga David Hume dhe “teoria e tufave” [bundle-theory] e tij për unin, Machu propozoi një teori jo-esencialiste, funksionaliste që e paraqet unin jo si një substancë të vetme, të qëndrueshme, por si një grumbull ndjesish dhe një strukturë funksionale në zhvillim të vazhdueshëm. Përmes një historie për dashurinë midis një vëllai dhe një motre, romani i Musilit ilustron bukurinë e brendshme dhe potencialin për çlirim ekzistencial dhe përmirësim moral në jetën pa un esencial.
Vëllimi i parë paraqet situatën nga e cila vëllezërit dhe motra përpiqen të çlirohen; historia e tyre zhvillohet në të dytin. Vëllimi 1 - që përfshin pjesët 1 dhe 2: Një lloj hyrjeje” dhe “Pseudo-realiteti mbizotëron”, në përkthimin e bërë nga Sophie Wilkins dhe Burton Pike - është një kritikë therëse, por çuditërisht e dhembshur, ndaj shoqërisë së lartë vjeneze në momentet e saj të fundit të rehatisë kulturore-kapitaliste, ndërsa qëndron pa vetëdije e zhytur në vetvete në prag të shpërthimit të Luftës së Madhe. Kjo vëzhgohet me habi, kureshtje dhe ironi të lehtë nga Ulrihu, një matematikan 32-vjeçar pa një ndjenjë të qartë për qëllim në jetë. Fokusi është te planifikimi i të ashtuquajturës fushatë paralele nga një grup intelektualësh dhe zyrtarësh - një ngjarje për të shënuar përvjetorin e 70-të të perandorit austro-hungarez në vitin 1918, me synimin për të tejkaluar festimet gjermane për perandorin gjerman në të njëjtin vit.
Në vëllimin e dytë - Pjesa 3, “Në milenium (kriminelët)” - toni letrar ndryshon dukshëm, duke u bërë më lirik dhe më i butë, ndërsa Ulrihu largohet nga qyteti dhe kthehet në shtëpinë e fëmijërisë, në një fshat të vogël, për funeralin e babait të tij që rishtazi kishte vdekur. Këtu shfaqet protagonisti i dytë i historisë, ndërsa Ulrihu ribashkohet me motrën e tij, Agatën, të cilën nuk e kishte parë që nga fëmijëria. Kur takohen sërish, në mbrëmje në një nga dhomat e shtëpisë, ata të dy habiten nga ngjashmëria mes tyre, pasi secili shfaqet i veshur pothuajse me të njëjtat pizhame të tipit Pierrot. Prej këtu shfaqet projekti ekzistencial i romanit.
Të izoluar në shtëpinë e tyre të fëmijërisë, të shkëputur nga diskurset bashkëkohore politike dhe kulturore të Vjenës, vëllai dhe motra hyjnë në një lloj hapësire të përjetshme eksperimentale, ndërsa i përkushtohen leximeve dhe diskutimeve të teksteve soditëse lindore dhe perëndimore mbi epifaninë dhe transcendencën, si dhe një hulumtimi intuitiv meditativ. Projekti i tyre zhvillohet si një praktikë eksploruese shpirtërore dhe ekzistenciale jofetare me rëndësi të përgjithshme. Rruga e tyre, siç mësojmë, ka “shumë të përbashkëta me veprimtarinë e atyre që janë të pushtuar nga Zoti”, por ndiqet nga Ulrihu dhe Agata “pa devocion, pa besuar në Zot apo në shpirt, madje as në botën përtej apo në rimishërim”, thjesht si “njerëz të kësaj bote”.
Ndërsa vëllai dhe motra afrohen më shumë, lidhja e tyre shpejt shkon përtej asaj platonike. Ky element incestual mund të duket sipërfaqësisht provokues, por shërben për një qëllim filozofik. Ai paraqitet si “një udhëtim drejt kufirit të së mundshmes, që çonte përtej - dhe ndoshta jo gjithmonë përtej - rreziqeve të së pamundurës dhe të panatyrshmes” dhe si një ‘rast kufitar’ ... me vlefshmëri të kufizuar dhe të veçantë, që të kujton lirinë me të cilën matematika ndonjëherë i drejtohet absurdit për të arritur tek e vërteta”.
Lidhja biologjike tregon natyrën më të thellë dhe shpirtërore të ngjashmërisë së tyre. Ndërsa Agata dhe Ulrihu lëvizin drejt përputhjes së identitetit, fizikalitetit, gjinisë, mendjes dhe gjuhës, ata arrijnë të përfaqësojnë lidhjen vëlla e motër si bashkim në një kuptim më të gjerë metaforik dhe ekzistencial. Bashkimi i tyre ilustron një nga idetë qendrore të romanit për hermafroditizimin e imagjinatës primordiale. Mendjet e tyre bashkohen në një formë të imagjinatës krijuese kolektive që tejkalon binaritetet konvencionale. Marrëdhënia e tyre përfaqëson një ideal të trans-humanizmit, post-individualizmit dhe post-esencializmit - një lidhje ndërnjerëzore dhe një mënyrë ekzistence me identitet të përbashkët përtej gjinisë, seksit biologjik dhe normave kulturore, përtej cilësive të fiksuara dhe unit të vetëm.
Vizioni që del nga këto eksperimente është ai i një mënyre më kuptimplote dhe më etike të të qenit në botë. Një jetë më pak e diktuar nga fiksimet me çështjet kalimtare të ditës, trendët filozofikë dhe kulturorë që kalojnë, si dhe tensionet dhe gara ndërpersonale, dhe me një intensitet më të madh përvoje dhe lidhjeje me rrethinën e menjëhershme dhe me njerëzit e tjerë. Konceptohet si qëndrim ekzistencial midis “matematikës dhe mistikës” dhe përmblidhet në idenë poetiko-politike të Ulrihut për krijimin e “një Sekretariati Botëror për Saktësi dhe Shpirt”.
Qendrore për kultivimin e kësaj mënyre ekzistenciale është gjendja e ndryshuar e vetëdijes, e quajtur ndonjëherë “Gjendja Tjetër”. Kjo shfaqet si një formë themelore e ndërgjegjes dhe një dimension i anashkaluar i realitetit, në të cilin ndjenja e zakonshme e unit dhe perceptimi zhduken për të zbuluar diçka më të vërtetë: “Nganjëherë njeriu harron të shohë dhe të dëgjojë dhe mbetet krejt pa fjalë. Dhe, megjithatë, pikërisht në minutat si këto ndien se për një çast ka ardhur te vetja”.
Në Gjendjen Tjetër, ndjenja e individualitetit të kufizuar zhduket dhe, bashkë me të, dallimi midis vëzhguesit dhe të vëzhguarit, ndërsa arrihet një gjendje e të qenit një, si plotësi ashtu edhe zbrazëti, dhe kundërshtitë e zakonshme treten. Është një përvojë sa e “intensifikimit aq edhe e humbjes”, si “të shikosh mbi një sipërfaqe të gjerë uji që vezullon - aq e ndritshme saqë duket si errësirë për syrin, dhe në bregun përtej gjërat nuk duken sikur qëndrojnë mbi tokë të fortë, por sikur pluskojnë në ajër me një qartësi të ekzagjeruar delikate që është pothuajse e dhimbshme dhe si halucinacion”. Një ndjenjë e të qenit i lidhur dhe i pandashëm nga gjithçka, ndërsa në të njëjtën kohë gjithçka duket më e dallueshme se kurrë: “Ti qëndron këtu dhe bota qëndron atje, tepër subjektive dhe tepër objektive, por të dyja pothuajse dhimbshëm të qarta, dhe ajo që i ndan dhe i bashkon këto elemente, zakonisht të shkrira është një errësirë përvëluese, është një mbushje e tepruar dhe një shuarje, një lëkundje brenda dhe jashtë. Ti noton si peshk në ujë ose si zog në ajër, por nuk ka breg lumi dhe as degë, vetëm ky pluskim”!
Siç tregon titulli, arritja e Gjendjes Tjetër nënkupton lënien mënjanë të idesë së unit si entitet i kufizuar, të një personaliteti me cilësi të fiksuara. Por, propozimi nuk është të braktiset plotësisht individualiteti. Ulrihu dhe Agata nuk po përpiqen të qëndrojnë përgjithmonë në një gjendje të qenit një - në fakt, nënkuptohet se gjendja e zakonshme e vetëdijes dhe përvoja e të qenit një un i kufizuar individual mund të jenë të nevojshme për mbijetesën bazike dhe funksionimin shoqëror. Praktika, përkundrazi, është ajo e lëvizjes midis gjendjes së individualitetit të kufizuar dhe qenies pa kufij. Qëndrimi ekzistencial i përshkruar në roman paraqitet kështu si një lëvizje, një luhatje e vetëdijshme midis realitetit të përditshëm dhe Gjendjes Tjetër, midis Unë dhe Ne, njëshit dhe të tjerët.
Kah fundi i vëllimit të dytë, Agata zhvendoset me Ulrihun përsëri në Vjenë, ku projekti i tyre përballet me disa sfida. Ndërsa historia përparon, lexuesi bëhet i vetëdijshëm për atë që personazhet nuk mund ta dinë: se rrjedha kohore i afron gjithnjë e më shumë drejt shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Por, si synonte Robert Musili që të përfundonin gjërat, nëse eksperimenti i motrës dhe i vëllait ishte menduar të mbijetonte rikthimin e tyre në realitetin e përditshëm, jashtë sferës mbrojtëse të shtëpisë së fëmijërisë, dhe luftës, ne këtë nuk e dimë. Musili vdiq para se ta përfundonte romanin dhe në draftet dhe shënimet e shumta që la pas - i ashtuquajturi Nachlass - tregohen disa përfundime të mundshme. Kjo krijon një rast të veçantë përputhjeje të realitetit me filozofinë e autorit. Larg nga dobësimi i projektit filozofik të romanit, vdekja e Musilit në vitin 1942 dhe mungesa, që pasoi, e një përfundimi i forcojnë pikërisht argumentet e tij mbi karakterin jo-esencial dhe jo-narrativ të ekzistencës njerëzore. Ne nuk do ta dimë kurrë qëllimin e autorit dhe nuk do të kemi një fund të historisë, dhe kjo hapje e papërfunduar përcjell në mënyrë efektive idenë e jo-dualizmit të ekzistencës, domethënë idenë se gjithçka është gjithmonë duke u bërë dhe në një proces përfundimi, gjë që rrëzon dallimin midis qenies dhe mosqenies - ato janë e njëjta gjë, pjesë e një procesi ose gjendjeje të vazhdueshme. Ky është një botëkuptim që përputhet me përvojën time jo-narrative dhe jo-dualiste të jetës.
Më vonë, ndërsa kalova nga letërsia në kërkimin mbi ndërgjegjen në punën time, hasa pikëpamje të ngjashme në vende të tjera: më së shumti në filozofinë budiste dhe në adaptimin eklektik dhe perëndimor jofetar të budizmit si ndërgjegjësim. Por, edhe në përshkrimet reduktuese dhe materialiste të personalitetit në filozofinë perëndimore, që sfidojnë qasjet dominuese esencialiste dhe narrative, të përfaqësuara nga mendimtarë si David Hume dhe Ernst Mach, si dhe Derek Parfit dhe Galen Strawson i cili po ashtu është skeptik ndaj qasjes narrative: shih esenë e tij në Aeon, Nuk jam tregim [I Am Not a Story, 2015]. Ky drejtim në mendimin perëndimor është shumë i përputhshëm me pikëpamjen budiste - dhe, në fakt, potencialisht fillimisht i ndikuar prej saj. Alison Gopnik ka vënë në dukje se Hume mund të jetë ndikuar nga idetë tibetiane dhe theravada, të vëna në dispozicion përmes studiuesve jezuitë që ishin të njohur me këto tradita dhe që qëndruan në Kolegjin Mbretëror të La Fleshit në të njëjtën kohë kur Hume po punonte mbi Traktatin e tij atje. Është ngushëllim për mua që neuroshkenca moderne nuk gjen asnjë shenjë të një qendre veprimi ose burimi të ndërgjegjes në tru, duke i dhënë kështu mbështetje empirike përvojës sime jo-reduktuese dhe jo-esencialiste. Mësimi për të gjitha këto më ka ndihmuar të ndihem më pak e çuditshme. Por, Robert Musili më dha përvojën time të parë dhe më të fortë të njohjes dhe vlefshmërisë.
Njeriu pa kualitete ka pasur ndikim veçantë tek unë, jo vetëm sepse ishte hera e parë që hasa një qëndrim filozofik që përputhej me përvojën time divergjente, por edhe për shkak të cilësive të tij letrare. Shkrimi i Musilit paraqet ide shkencore dhe filozofike, komplekse dhe serioze, por është larg gjuhës së ftohtë dhe formale të diskursit konvencional shkencor dhe filozofik analitik, që mund t’i largojë lehtë lexuesit. Saktësia dhe fryma, matematika dhe mistika, sintetizohen dhe shfaqen me stil në shkrimin e Musilit, duke krijuar një vepër jashtëzakonisht të saktë, të pasur dhe të bukur në aspektin poetik, dhe që përmban disa nga pasazhet më tërheqëse mbi shpërbërjen e egos dhe përvojën jo-dualiste që kam hasur ndonjëherë si studiuese e letërsisë dhe kërkuese e ndërgjegjes.
Si i tillë, romani i tij është një shembull kryesor i aftësisë së veçantë të letërsisë për të lehtësuar lidhjen e përjetuar dhe idetë. Njeriu pa kualitete nuk i drejtohet vetëm trurit - megjithëse e bën këtë, dhe shumë mirë - por, si të thuash, edhe zemrës. Përmes mënyrave dhe mjeteve poetike dhe narrative, ai te lexuesi nxit përfshirjen imagjinare dhe identifikimin emocional me personazhet, dhe kështu i mundëson lexuesit të përjetojë, përmes zhytjes imagjinare në botën e historisë, se çfarë do të thotë dhe si ndihet të jetosh mirë pa një ndjenjë të unit esencial ose pa një kufizim të qartë individual (në këtë mënyrë, letërsia ka ngjashmëri interesante me epistemologjinë e psikodelikëve dhe meditimit, duke mundësuar mënyra të ngjashme të “njohjes më të thellë” dhe të kuptimit të përjetuar, të mishëruar).
Leximi i Musilit më mundësoi të identifikohem në mënyrë poetike dhe racionale me intuitat e mia filozofike dhe t’i përqafoj ato. Romani më dha parimet udhëzuese ekzistenciale të fleksibilitetit dhe lëvizshmërisë sipas të cilave kam jetuar që atëherë. Më ndihmoi të kuptoj udhëtimin [trip] tim të parë psikodelik, i cili ishte jashtëzakonisht i fortë, pa e synuar këtë, dhe në aspektin psikologjik ta integroj atë përvojë në jetën time. Dhe, ka frymëzuar dhe forcuar praktikën time të meditimit - sot, kur udhëheq seanca meditimi në qendrën time të filozofisë në Oksford, shpesh filloj me një lexim nga Njeriu pa kualitete.
Në këtë roman, takova dy individë të tjerë që lidhen me botën si unë - pa një ndjenjë të një uni të vetëm dhe esencial ose të një historie jete progresive dhe koherente - dhe që e zhvillojnë këtë përvojë në një qëndrim ekzistencial, me kuptim, duke ilustruar përparësitë dhe bukurinë e ekzistencës pa un - përfshirë potencialin për reduktim të vuajtjes personale, koherencë më të madhe shoqërore dhe të një ndjesie të vëllazërisë universale. Kjo ma lehtësoi vetminë si studente e re e narrativës egocentrike perëndimore, më mësoi si ta përdor përvojën time divergjente si një përparësi ekzistenciale dhe, që nga ajo kohë, më ka ndihmuar të jetoj me vetëbesim si pjesë e minoritetit pa un. /Telegrafi/


