Jennie Garth flet për periudhën e errët pas divorcit: Përfundova duke më pompuar stomakun
Aktorja Jennie Garth ka kujtuar një nga periudhat më të errëta të jetës së saj. Më shumë se një dekadë pas ndarjes nga Peter Facinelli, ylli i serialit “Beverly Hills, 90210” i përshkruan me detaje pasojat e dhimbshme të këtij kapitulli në kujtimet e saj, me titull “I Choose Me: Chasing Joy, Finding Purpose, and Embracing Reinvention”.
Në libër, i cili pritet të publikohet më 14 prill, Garth tregon se pas ndarjes kishte rënë në një gjendje të rënduar emocionale dhe se, për një periudhë, u përpoq ta “mjekonte” veten me alkool dhe tableta – deri në pikën sa një natë iu desh t’i bënin lavazh stomaku.
Pas kësaj, Jennie – e cila ishte e martuar me Facinellin për 12 vjet dhe me të cilin ka tre vajza – kaloi një periudhë në një qendër rehabilitimi, Canyon Ranch.
Duke u kthyer pas në kohë, ajo tha se e ndiente sikur “drita po i fikhej vërtet”. Në një intervistë për People, të publikuar më 8 prill, aktorja u shpreh se në atë periudhë nuk rrezatonte aspak energji pozitive dhe e vërente këtë edhe te vetja.
“Nuk rrezatoja energji pozitive. E shihja në pasqyrë. Mund ta shihja ndikimin negativ që kishin tek unë ajo dhimbje dhe ai zemërim”, tha ajo.
Gjithçka ndryshoi kur vendosi se duhej të bënte një kthesë. “Ndodhi një ndryshim i çuditshëm”, kujtoi 54-vjeçarja, “kur një ditë thashë: ‘Nuk dua ta mbaj më këtë barrë. Po ndikon në marrëdhëniet e mia dhe në mënyrën si ndihem. Duhet ta lëshoj. Duhet ta fal. Duhet ta fal atë’”.
Sot, Jennie thotë se ajo dhe Peter kanë arritur t’i rregullojnë mosmarrëveshjet sa i përket rritjes së përbashkët të fëmijëve, ndërsa ka kuptuar edhe sa e rëndësishme është të vendosë veten në plan të parë – ashtu siç kishte bërë edhe personazhi i saj Kelly Taylor në vitin 1995, kur në serialin “90210” kishte thënë frazën e famshme: “Zgjedh veten”.
“Në atë moshë nuk e kuptoja plotësisht”, tha Garth, duke iu referuar momentit kur Kelly u tha Dylan McKay (Luke Perry) dhe Brandon Walsh (Jason Priestly): “Zgjedh veten”.
Por kur mbushi 50 vjeç, “ajo frazë m’u rikthye dhe filloi të më jehonte fort brenda vetes”, shpjegoi ajo. “Edhe pse më mori kohë, tani më në fund jam në një fazë të jetës ku ndihem rehat të zgjedh veten”.
Kjo filozofi, sipas saj, pati ndikim edhe në martesën me Dave Abrams (44), me të cilin u martua në vitin 2015. Disa vite pas dasmës, çifti u nda për rreth një vit, për shkak të presioneve të shtuara gjatë procesit të fertilizimit të asistuar.
“Vërtet doja t’i lindja Dave-it një fëmijë sepse ai ishte i ri dhe të gjithë shokët e tij kishin fëmijë”, kujtoi ajo. “Thjesht mendoja se atij i duhej”.
Megjithatë, ajo thotë se me kalimin e kohës ata e gjetën sërish ritmin e tyre dhe vazhdojnë të jenë bashkë.
“Gjithçka lidhet me përpjekjen për t’u bërë qejfin të tjerëve”, përfundoi Garth. “Kur vërtet e kupton në thelb çfarë do nga jeta, atëherë gjithçka bëhet më e lehtë”. /Telegrafi/


