Please enter at least 3 characters.

Jehona festive në Luginën e Preshevës

Viti i Vjetër shkoi me një breshërimë armësh piroteknike dhe me një zhurmëri deklaratash të politikanëve shqiptarë, të cilët u zotuan se shumë probleme të trashëguara nga e shkuara do të zgjidhen në vitin 2011. Qytetarët po i mbulojnë hundët nga baruti i fishekzjarrëve dhe po i mbyllin veshët nga jehona e premtimeve allaluginase.

Për ta përcjellë sipas traditës dhe zakonit pritjen e Vitit të Ri, shqiptarët e Luginës, të prirë nga forumet rinore, në Tërnoc, Bujanoc dhe Preshevë, organizuan manifestime kulturore me këngë dhe armë piroteknike. Nëpër ambientet e hapura, të kësaj nate, nga më të dashurat të vitit, u mblodhën më pak njerëz se viteve të shkuara. Arsyet pse qytetarët në këtë festë, preferuan ambientet familjare më shumë se ato nëpër restorante dhe sheshe, janë të shumta dhe të kuptueshme. Kjo u dëshmua edhe në vepër. Në natën e fikjes së dritave dhe shkëmbimit të puthjeve përgëzuese, shumë njerëz mbetën të dëmtuar nga krismat, madje pati edhe aso që i humbën organet gjentile. Këto fishekzjarre të sponzoruara nga disa institucione, ndonëse ishin joshëse për sy, nuk ishin gjithaq edhe të këndshme për mushkëri.

Mungesën e një vullneti festiv e shprehën për Agjencinë Informative Kombëtare “Presheva Jone”, si gjithmonë, i pari, kush tjetër, përpos z.Riza Halimit, deputet në Parlamentin e Serbisë. Ai, nuk ngurroi ta akuzoj qeverisjen e pushtetit lokal në Preshevë. Ky kaos, na thotë Rizaja, ka përfshirë edhe institucionet lokale në Preshevë, i cili pushtet nuk është as serioz e as stabil. “E them këtë me plotë përgjegjësi sepse pushteti lokal në Preshevë nga viti 2008 është shndërruar në një tabor shkarkimesh e suspendimesh. Në vend, që pushtetarët tanë në Preshevë të merren me halle të qytetarëve, ata harxhojnë energji, duke u marrë mes vete dhe biseda kafenesh për poste dhe funksione”, theksoi z. Halimi.

Fjalët

Deputeti nuk flet vetëm me buzë na vaj, ai, e lavdëron pushtetin lokal në Bujanoc dhe Këshillit Nacional të prirë nga Galip Beqiri. “Është ky një institucion i ri, i cili ka filluar në qasjen e zgjidhjes së disa problemeve të grumbulluara qe një decenie të tërë dhe mbetemi me shpresë se ky vit do të jetë një vit jo vetëm sensibilizimi i çështjes sonë kombëtare në Presheve, Bujanoc e Medvegjë, por edhe zgjidhjen e shumë problemeve, që preokupojnë popullatën tonë. Veç tjerash ky Këshill do të vë në sprovë edhe pushtetin qendror, duke testuar atë se sa është i interesuar vërtetë për zgjidhjen e problemeve për qytetarët tanë”, tha mes tjerash Halimi

Allahile! Deputeti e lavdëron një institucion kombëtar, i cili mezi arriti ta mbledh rreth strumbullarit të tij Partinë për Veprim Demokratik, të ndarë në shumë principata dhe nahi, por, madje, ai, ngeli, mjerisht, vetëm njëpartiak, i njëanshëm dhe pa ndikim së pari në skenën politike shqiptare të Luginës e po ashtu edhe në nivele më të larta. Edhe më tej këtë krijesë e injorojnë subjektet politike shqiptare, të cilat nuk deshën t’i bëhen argat në rrugën e krijimit dhe konsolidimit të tij.

Meritat

Në favor të këtij institucioni kombëtar, foli edhe njeriu më i afërt i deputetit republikan, Shaip Kamberi, prefekt komune në Bujanoc. “Në sferën e respektimit të të drejtave kolektive të shqiptarëve ekzistojnë probleme të shumta, qoftë me suspendimin e vazhdueshëm të policëve, të prolongimit të zgjidhjes së problemeve në arsim, apo edhe mungesë së vullnetit të zgjidhen problemet praktike si ai i diplomave të Kosovës. Ne jemi duke tentuar që në kuadër të institucioneve legjitime: komunë e Këshill Nacional, KDNJ-së dhe vetë deputetit, në partneritet me Bashkësinë ndërkombëtare, të gjejmë zgjidhje për këto çështje”, i tha zoti Kamberi agjencisë “Presheva Jone”.

Për Kamberin, institucionet legjitime për rrahjen e këtyre problemeve na qenkan vetëm institucionet legjitime: komuna e Këshilli Nacional, KDNJ dhe vetë deputetit, që të gjithë nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik. Po harron Kamberi apo po ia ka ënda ta thotë se në Luginën e Preshevës veprojnë me dhjetëra parti politike shqiptare dhe shoqata joqeveritare, të cilat edhe pse nuk participojnë në Këshillin Nacional, nuk do të thotë se nuk janë legjitime dhe se nuk u takon të merren me problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Luginës.

Shpresat

Korit të këtyre akuzave iu bashkua edhe Skender Destani, i cili e humbi ofiqin e kryetarit të Asamblesë komunale në Preshevë, duke ngelur tek fishek në partinë e cila mban një emër shumë simpatik Bashkimi Demokratik i Luginës. Kjo parti lëre që nuk i bashkoi shqiptarët e këtij rajoni, por i bëri pikë e pesë edhe ata pak anëtarë të saj, të cilët pa kapuç po ikin për tu pozicionuar në parti të tjera. Zoti Destani, tha se viti 2010 nuk ishte vit i shqiptarëve të Luginës, por ishte vit i brishtë sepse në këtë vit shqiptarët nuk mundën të realizojnë asgjë nga të drejtat e tyre kolektive sepse Qeveria e Serbisë, si duket nuk ishte e interesuar, që të zgjidh problemet e shqiptarëve, dhe kësaj i ndihmoi edhe faktori politik shqiptar, i cili assesi të bashkëpunoj në mes veti, të unifikoj qëndrimet dhe të dalë me kërkesa të qarta para qeverisë dhe faktorit ndërkombëtar.

Shpresojmë se në vitin 2011, faktori politik shqiptar do të vetëdijesohet dhe të veproj në unifikimin e tij, që të bëjë publike kërkesat e në emër të të gjithë shqiptarëve e jo si gjer më tani, të ndarë ku çdo parti del me kërkesat politike partiake, të cilat janë jo serioze për të arritur atë që kërkojnë shqiptarët.

Heshtja

Derisa, disa nga politikanët e Luginës, flasin e komentojnë rrjedhën politike në këtë krahinë të mbërthyer me forca të shumta policore e ushtarake, bashkërenduesi i Qeverisë së Kosovës për integrimin e veriut të vendit, Ylber Hysa, i tha BBC-së se ka indikacione nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, që veriu i Kosovës të bëhet pjesë e bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Për këso lëvizjesh në Luginë, askush nuk ka veshë. As Këshilli Nacional, njëpartiak e as disa mediume, të cilat marrin pushim e heshtin pa ua mbyll gojën askush kur kryetarët e komunës shkojnë në pushim, flasin e trumbetojnë, kur shefat e tyre japin ndonjë deklaratë, nga fronti i qeverisjes. Deri kur kështu?!

(Autori është publicist i pavarur nga Prishtina, i cili herë pas here i kthehet Luginës, kur ajo e thërret)