Please enter at least 3 characters.

Ja cilat janë organizatat e dyshimta islamike në Kosovë, që i mbylli shteti

2016/01/ja-cilat-jan-euml-organizatat-e-dyshimta-islamike-n-euml-kosov-euml-q-euml-i-mbylli-shteti_hd.jpg

Këto organizata dyshoheshin se ishin të përfshira në aktivitete të rekrutimit të luftëtarëve për ISIS, financimin e aktiviteteve ekstremiste si dhe përhapjen e propagandës në mbështetje të aktiviteteve ekstremiste.

Gazeta Express ka hulumtuar rreth tyre dhe ka kuptuar se bëhet fjalë për organizatat e njëjta, që në shtator të vitit të kaluar, iu është pezulluar aktiviteti i tyre, pikërisht me vendim të organeve shtetërore.

Atëherë shteti pati vendosur ta pezulloj punën e këtyre 14 OJQ-ve, për një vit, ashtu siç e parasheh edhe ligji. Madje mbyllja e tyre pasoi pas arrestimit të 40 të dyshuarve për terrorizëm nga një grup prej 57 të dyshuarish.

Por duke parë që aktiviteti i tyre vazhdonte të lidhej me persona të cilët iu kanë bashkuar vazhdimisht luftimeve të ISIS-it në Siri, Ministria e Punëve të Brendshme kësaj radhe vendosi të mbyll përfundimisht aktivitetet e të gjitha formave për 16 organizatat joqeveritare që vepronin, siç thuhet në komunikatën e kësaj ministrie nën petkun e kinse organizatave me karakter humanitar.

Express ka mësuar emrat e organizatave, aktiviteti i të cilave tashmë është shuar.

Bëhet fjalë për organizatat “Sinqeriteti” nga Prizreni, “Rinia Istogase” nga Istogu, “Pema e Bamirësisë” nga Peja, “Parimi” nga Kaçaniku, “Njëshmëria” nga Gjilani, “KAD” në Podujevë, “Gjurma”, “Nektari-HE”, “Kalliri i Mirësisë”, “Çelësi”, “Al Waqf Al Islami”, “Argumenti”, “AKEA” etj.

Kjo e fundit, më saktë e njohur si Asociacionin për Kulturë, Edukim dhe Arsimim (AKEA) është njëra ndër një organizatat më të fuqishme joqeveritare në Kosovë, e regjistruar qysh në vitin 2004.

Deri më tani, që nga mbyllja e tyre, nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga udhëheqës të këtyre organizatave.

Ndryshe, Kosova së fundit u rendit në vendin e katërt në botë sa i përket luftëtarëve që janë rreshtuar me ISIS në raport me popullsinë e saj, me rreth 232 luftëtarë. Deri më tani sipas raportimeve, janë afërsisht 50 kosovarë të cilët janë vrarë përkrah ISIS, në periudha të ndryshme kohore./ GazetaExpress /