Inspektorati Policor rekomandon suspendimin e një zyrtari policor në Fushë Kosovë
04/02/2026
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një zyrtari policor të angazhuar në Stacionin Policor të Fushë Kosovës.
Hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së po zhvillojnë hetime ndaj zyrtarit policor për veprën penale “Sulm”.
Pas konsultimeve me prokurorinë përkatëse, rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Sipas njoftimit të IPK-së, incidenti raportohet të ketë ndodhur pas mesnatës në Fushë Kosovë, ndërsa zyrtari policor i përfshirë në rast ka qenë jashtë detyrës zyrtare në momentin e ngjarjes.
Hetuesit e IPK-së, në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës, pritet të ndërmarrin veprime të mëtejshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit. /Telegrafi/


