Influencuesja e fitnesit vdes gjatë pjesës së notit në Ironman Texas
Influencuesja braziliane e fitnesit, Mara Flavia Souza Araujo, ka humbur jetën pasi u përfshi në vështirësi gjatë pjesës së notit në garën Ironman Texas, të zhvilluar në Lake Woodlands pranë Hjustonit.
Sipas autoriteteve dhe raportimeve të KPRC 2 News, 38-vjeçarja u raportua si “notare e humbur” rreth orës 07:30 të mëngjesit të së shtunës.
Ekipet e sigurisë nuk arritën ta lokalizonin menjëherë, ndërsa trupi i saj u gjet rreth 90 minuta më vonë në një thellësi prej rreth 3 metrash nga zhytësit. Ajo u shpall e vdekur në vendngjarje, shkruan The Guardian.
Departamenti i Sherifit të Qarkut Montgomery konfirmoi identitetin e saj për NBC News.
Në deklaratë thuhet: “MCSO mund të konfirmojë se Mara Flavia Souza Araujo, 38 vjeç, nga Brazili vdiq ndërsa garonte në eventin Ironman në The Woodlands të shtunën. Hetimet paraprake tregojnë se ajo u mbyt gjatë pjesës së notit të eventit”.
Araujo ishte një triatloniste me përvojë dhe kishte përfunduar të paktën nëntë gara Ironman që nga viti 2018.
Ajo numëronte mbi 60,000 ndjekës në Instagram dhe shpesh ndante mesazhe mbi rëndësinë e jetës aktive dhe shfrytëzimit maksimal të saj, edhe në ditët para garës.
Organizatorët e Ironman Texas shprehën ngushëllime për familjen dhe miqtë e saj, duke falënderuar edhe ekipet e emergjencës për reagimin në vendngjarje. /Telegrafi/


