Please enter at least 3 characters.

Historia magjepsëse e bibliotekës mesjetare 750-vjeçare të Universitetit të Oksfordit

Një korridor në Bibliotekën e Kolegjit Merton në Oksford, rrethuar me rreshta raftesh librash dhe një glob në fund

(Foto e mundësuar nga kujdestarja dhe anëtarët e Kolegjit Merton, Oksford)

Më e vjetër se Perandoria Azteke, Biblioteka e Kolegjit Merton në Oksford është përdorur nga të gjithë, nga matematikanë të shquar të shekullit XIV e deri te J. R. R. Tolkieni. Në një intervistë ekskluzive me BBC-në, për 750-vjetorin e saj, bibliotekarja e saj përshkruan çfarë e bën atë kaq të veçantë.

Nga: Christian Kriticos / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Në Kolegjin Merton në Oksford është një arkë e vjetër. Në Mesjetë, tre mbajtës çelësash duhej të thirreshin për të zbuluar pasuritë brenda saj. Por, ky thesar nuk ishte me ar apo xhevahire. Ishte me libra.

Një siguri e tillë e rreptë mund të tingëllojë e tepruar për një pergamenë të thjeshtë. Por, në një epokë para shtypshkronjës, librat ishin mall i vlefshëm. Atyre mund t’u duheshin muaj për t’u prodhuar, pasi i gjithë teksti duhej të shkruhej me dorë me shumë kujdes. Prandaj, ashtu siç universitetet sot kërkojnë fonde nga ish-studentët e tyre, Kolegji Merton kërkonte që anëtarët e tij të shekullit XIII të dhuronin libra.

Kryepeshkopi i Kanterberit nxori një dekret në vitin 1276 që përcaktonte këtë kërkesë, duke shënuar fillimin e Bibliotekës në Kolegjin Merton. Dekreti ka funksionuar vazhdimisht që atëherë. Për ta vendosur këtë kohëzgjatje në kontekst, Biblioteka e Mertonit i paraprin Perandorisë Azteke. Historia e saj e pandërprerë shtrihet përpara Murtajës së Zezë e përtej pandemisë së Koronavirusit. Dhe, përdoruesit e saj kanë përfshirë gjithkënd, nga matematikanë të famshëm të shekullit XIV deri tek autori i Kryezotit të unazave [Lord of the Rings], J. R. R. Tolkien.

Ky muaj shënon 750-vjetorin e bibliotekës. Është një arritje e madhe. Por, mosha e jashtëzakonshme e Mertonit është njohur që në epokën Viktoriane, kur ajo përshkruhej rregullisht si biblioteka më e vjetër në Angli.

Në shekullin XX, shkrimtarë si Rudyard Kipling dhe John Buchan e përmendën atë në veprat e tyre letrare, duke forcuar reputacionin e saj si bibliotekë veçanërisht e nderuar. Ndërsa rritej vlerësimi kulturor për “Bibliotekën e famshme të Mertonit”, pretendimet për moshën e saj u ekzagjeruan. Disa oksfordianë tepër entuziastë madje e shpallën si biblioteka më e vjetër në botë.

Origjina e bibliotekës historike

Historianët sot janë më të kujdesshëm në dhënien e deklaratave të tilla të guximshme. “Është një pyetje e ndërlikuar”, thotë profesoresha Teresa Webber nga Universiteti i Kembrixhit. “Nuk ka një përkufizim të vetëm të bibliotekës. Dhe, ka pasur shumë faza në zhvillimin e asaj që ne sot e konsiderojmë si bibliotekë”.

Dr. Julia Walworth, bibliotekarja e Kolegjit Merton(Foto e mundësuar nga kujdestarja dhe anëtarët e Kolegjit Merton, Oksford)

Origjina e Bibliotekës së Mertonit është sigurisht e ndryshme nga mënyra se si i mendojmë sot institucionet e tilla. Nuk kishte bibliotekar dhe nuk kishte rafte për shfletim. “Kishte një sistem huazimi dhe kthimi librash nga arka”, i thotë BBC-së bibliotekarja e Mertonit, Dr. Julia Walworth. “Ka qenë një proces formal. Në vend që thjesht të thuhej: ‘Oh, shkoni dhe kërkoni librat që ju duhen’, i gjithë komuniteti mblidhej për të hapur arkën”.

Koleksioni i Mertonit filloi të evoluonte mjaft shpejt në një bibliotekë moderne. Vetëm disa vite pas dekretit të kryepeshkopit, disa libra u vendosën jashtë arkës për herë të parë. Ato u lidhën me zinxhirë në një tavolinë në kolegj, duke i bërë të qasshëm në çdo kohë. Sipas Walworthit, kjo risi “paraprin dallimin modern midis koleksioneve të bibliotekave për huazim dhe atyre për referencë”.

Thesari i librave i Mertonit nisi të bëhej bibliotekë moderne në vitet 1370, kur u ndërtua një dhomë e posaçme për të strehuar koleksionin në rritje. Pikërisht këtu Mertoni prezantoi një përmirësim të rëndësishëm në ruajtjen e librave. “U instaluan rafte horizontale për vendosjen e librave vertikalisht”, thotë Walworth. “Mertoni është përdorimi i parë i dokumentuar në Britani i kësaj metode të ruajtjes së librave”.

Çuditërisht, librat e Mertonit vendoseshin me shpinë nga brenda dhe titujt e tyre shkruheshin me ngjyrë në faqen që shihej jashtë. Kjo për shkak të përdorimit të vazhdueshëm të zinxhirëve, të cilët fiksoheshin në skajin e përparmë të kapakut të çdo libri. “Anëtarët e kolegjit e dinin se librat e lidhur me zinxhirë kishin më shumë gjasa të mbijetonin sesa librat që jepeshin hua”, shpjegon Walworth.

Biblioteka historike është më e vjetra e universitetit - një nga bibliotekat më të vjetra akademike funksionale në Evropë(Foto e mundësuar nga kujdestarja dhe anëtarët e Kolegjit Merton, Oksford)

Sot, vetëm disa vëllime në bibliotekë janë të lidhura me zinxhirë - thjesht për qëllime ekspozimi. Dhe, librat e tjerë tani vendosen sipas mënyrës moderne, me shpinat nga jashtë. Por, përndryshe, dhoma mesjetare mbetet një kapsulë e shquar kohore e historisë së bibliotekës. Pranë hyrjes, vizitorët mund të shohin madje arkën e shekullit XIII për të cilën Walworth beson se është origjinale. Gjatë periudhës së semestrit, dhoma historike e bibliotekës përdoret ende nga studentët. Dhe, ky përdorim i vazhdueshëm është faktor i rëndësishëm në superlativat që shpesh i atribuohen moshës së bibliotekës së Mertonit. “Është e vështirë të mendosh për një dhomë më të hershme biblioteke që ka qenë në përdorim të vazhdueshëm”, thotë Teresa Webber.

Biblioteka është mitizuar

Pretendimet për moshën e Mertonit morën vrull për herë të parë në epokën viktoriane, ndërsa ajo u bë më shumë një destinacion turistik. Vizitorët mahniteshin nga dritaret e saj me xham të pikturuar, si dhe nga librat e rrallë, si edicioni i saj i shekullit XV Rrëfenjave të Kanterberit [The Canterbury Tales]. “Është një nga librat më të hershëm të shtypur në Angli”, shpjegon Walworth. “Ajo që e bën unik kopjen e Mertonit janë margjinat e ilustruara me dorë”. Ndër ata që vizituan bibliotekën ishte edhe shkrimtari amerikan Ralph Waldo Emerson, i cili e përmendi atë në udhëpërshkrimin e tij të vitit 1856, Tiparet angleze [English Traits.]. Në vitin 1884, e reja Beatrix Potter e vizitoi, duke përshkruar në ditarin e saj “çatinë e bukur prej lisi” të bibliotekës dhe “aromën e lashtë prej pluhuri”.

Në këtë kohë, librat dhe revistat po e përshkruanin gjithnjë e më shumë bibliotekën me terma rekordesh. Një udhëzues i vitit 1878 për Oksfordin e quante Bibliotekën e Mertonit “më e lashta që ekziston tani në Angli”. Botimi i vitit 1885 i Enciklopedisë Britanika [Encyclopaedia Britannica] e përshkruante si “bibliotekën më të vjetër ekzistuese në Angli”. Gradualisht, këto pretendime u ekzagjeruan. Një artikull i vitit 1928 në The Times përshkruante një ngjarje të organizuar nga Fondi i Konservimit i Oksfordit ku u shpall si “biblioteka më e vjetër në botë”.

Biblioteka përmban dorëshkrime të rralla mesjetare(Foto e mundësuar nga kujdestarja dhe anëtarët e Kolegjit Merton, Oksford)

Ky perceptim në rritje për moshën e Mertonit u përmend madje edhe në romanin klasik Getsbi i madh [The Great Gatsby] të F. Scott Fitzgeraldit. Në libër, personazhi milioner që mban titullin e veprës, mbush vilën e tij me imitime të dhomave më prestigjioze të historisë. Prandaj, është e natyrshme që librat e tij jetonin në një rikrijim që ai e quante “Biblioteka e Kolegjit Merton”. Siç shprehet Walworth, “Biblioteka e Mertonit ishte bërë sinonim për bibliotekën ‘më të mirë’ të lashtë” deri në atë kohë. Ajo madje thekson se skenari fiktiv i Fitzgeraldit kishte rrënjë në realitet. “Klubet e ngrënies në Universitetin e Prinstonit kanë dhoma imituese historike. Njëra prej tyre bazohet në Bibliotekën e Kolegjit Merton”.

Por, sot, Walworth kundërshton çdo sugjerim se Viblioteka e Mertonit është më e vjetra në botë. Ajo preferon ta përshkruajë me disa përcaktime, duke e quajtur “një nga bibliotekat akademike më të vjetra dhe ende funksionale në Evropë”. Ky përshkrim më i matur pranon se jo të gjitha bibliotekat historike mund të futen në të njëjtën kategori - për shembull, bibliotekat e manastireve funksiononin ndryshe nga bibliotekat private me abonim. Por, gjithashtu pranon institucionet e lashta në mbarë botën. “Nuk është se njerëzit nuk ishin të vetëdijshëm për pjesë të tjera të botës në të kaluarën”, thotë Walworth. “Por, kishte një prirje që njerëzit ta shihnin botën e tyre si parësore. Këndvështrimi ynë tani priret të jetë më global, dhe me të drejtë”.

Debati mbi bibliotekën më të vjetër në botë

Midis këtyre institucioneve globale, ka disa kandidatë për titullin e diskutueshëm të bibliotekës më të vjetër në botë. Kur Biblioteka e el-Karavijinit iu nënshtrua një restaurimi të madh në vitin 2016, ajo u përshkrua nga disa media si “biblioteka më e vjetër në botë”. Por, Libri i Rekordeve Ginis e konsideron Manastirin e Shën Katarinës si bibliotekën më të vjetër me funksionim të vazhdueshëm në botë.

Manastiri i Shën Katarinës në Egjipt(Foto: Alamy)

Në të dy rastet, është e vështirë të përcaktohet një datë e saktë fillimi. Për Bibliotekën e el-Karavijinit disa studiues kanë shprehur dyshime mbi pretendimet për origjinë në shekullin IX, duke thënë se “historia ka shumë elemente mitike”. Në rastin e Manastirit të Shën Katarinës, ndërtesa u ndërtua në shekullin VI. Por, shkrimet e lashta sugjerojnë se koleksionet e bibliotekës mund të datojnë dy shekuj më herët. “Varet nga mënyra si numëron”, thotë Walworth. “Kur do ta fillosh kronologjinë? Cili është fillimi i një biblioteke”?

Megjithatë, profesori Richard Gameson nga Universiteti i Durhamit i thotë BBC-së se biblioteka në Manastirin e Shën Katarinës “ndoshta është ajo me historinë më të gjatë të pandërprerë”. Por, ai paralajmëron duke shtuar se “natyra e ‘bibliotekës’, mënyra se si përdorej dhe se si kuptohej ka ndryshuar me kalimin e kohës”. Prandaj, çdo pretendim për të qenë “më e vjetra” duhet të shoqërohet me një shpjegim të duhur se çfarë është një bibliotekë. Gjetja e përkufizimit të vetëm që lejon një mbajtës të vetëm përfundimtar të rekordit duket një detyrë pothuajse e pamundur.

“Ju mund ta mendoni bibliotekën më të vjetër si koleksionin më të vjetër koherent të librave që qëndruan të bashkuar”, thotë Teresa Webber. “Ose mund ta mendoni në terma të mbijetesës së hapësirës fizike. Ose mund të pyesni: ‘Cila është hapësira dhe koleksioni më i vjetër i librave që kanë qenë aty në mënyrë të vazhdueshme’”?

Ajo ofron si shembull Librarinë-Shpellë Dunhuang në Kinë. Kjo dhomë e fshehtë u mbush me dorëshkrime dhe u vulos diku rreth shekullit XI. Ajo u hap sërish vetëm pas rizbulimit të saj në vitin 1900. “Por, librat ishin ende të ruajtur aty në mënyrë të vazhdueshme”, thotë Webber.

Dhoma e fshehtë në Librarinë-Shpellë Dunhuang në Kinë u vulos rreth shekullit XI(Foto: Alamy)

Gjetja e një përkufizimi të përbashkët të bibliotekës do të bëhet edhe më sfiduese tani, pasi institucionet digjitale ofrojnë hapësira fizike që madje nuk përmbajnë asnjë libër. “Përkufizimi i asaj që është bibliotekë ka pasur gjithmonë nevojë të jetë i gjerë”, thotë Webber. “Futja e teknologjive të reja është thjesht një vazhdim i kësaj. Por, nuk mendoj se do të zhduket biblioteka si hapësirë fizike”.

Walworth është po ashtu optimiste ndërsa po nis një projekt për digjitalizimin e dorëshkrimeve të Mertonit. “Njerëzit do të jenë në gjendje të kenë qasje nga kudo. Por, mendoj se ende do të duan të vijnë dhe të shohin bibliotekën dhe të kuptojnë se si i përdornin njerëzit librat në të kaluarën”.

Duke reflektuar mbi harkun 750-vjeçar të Bibliotekës së Mertonit, kjo fazë digjitale duket si thjesht një hap tjetër në një evolucion të gjatë. Ashtu siç librat kaluan nga arka e kryepeshkopit te tavolinat me zinxhirë e më pas te raftet horizontale, tani do të hyjnë në botën virtuale. “Mendoj se kjo është arsyeja pse tani e shoh më pak të dobishme të flitet për bibliotekat si ‘më e vjetrat’”, thotë Walworth. “Për mua, historia nuk ka të bëjë me atë se sa gjatë ka funksionuar një bibliotekë. Ka më shumë të bëjë me ndjenjën e komunitetit”.

Ajo thekson se tradita e dhurimit të librave e vendosur nga kryepeshkopi i Kanterberit në vitin 1276 vazhdon edhe sot. “Ajo që filloi kur ai vendosi ato rregulla ishte ideja e një koleksioni të përbashkët të krijuar nga njerëzit. Prandaj, është vërtet e jashtëzakonshme që për 750 vjet njerëzit e kanë ruajtur këtë lidhje me një institucion dhe librat e tij”.

Ndoshta kjo dëshmon se librat janë vërtet thesari më i qëndrueshëm - qoftë të shkruar me dorë mbi pergamenë dhe të mbyllur në një arkë të vjetër, apo të shpërndarë si piksela në eterin kibernetik. /Telegrafi/