Historia e dashurisë rishkruhet: Eze dhe Arsenali, dyshja e ribashkuar për titullin në Ligën Premier
Arsenali ka shkatërruar Tottenhamin me rezultatin 4-1 dhe tashmë largohet në +6 pikë nga Chelsea, në pritje të përballjes direkte në "Stamford Bridge".
Lidhja mes Eberechi Ezes dhe Arsenalit duket aq e pabesueshme sa ngjan me një histori të shkruar për film. Por ajo që ndodhi pasditen e vonë të së dilës në "Emirates" i shtoi këtij rrëfimi një kapitull edhe më të bukur.
Skuadra e Mikel Artetas triumfoi 4-1 ndaj Tottenhamit, duke shkuar në kuotën e 29 pikëve pas 12 javësh dhe duke vendosur gjashtë pikë distancë nga Chelsea, ndjekësi më i afërt. Gunnersat shfrytëzuan ndalesat e Manchester Cityt dhe Liverpoolit për të bërë shkëputjen e parë serioze në krye të tabelës, ndërsa sfida e ardhshme me Chelsean në "Stamford Bridge" duket pothuajse si një “match point”.
Derbi i Veriut të Londrës nuk është kurrë një ndeshje e zakonshme – këtë e di mirë gjyqtari Marc Oliver, i cili u detyrua të menaxhonte disa situata të tensionuara. Provokimet e Richarlisonit dhe përplasja e madhe në fund, sërish me brazilianin në qendër, ishin vetëm disa prej skenave që e shoqëruan këtë duel.
Duel, faulle, provokime, por edhe mjeshtëri dhe histori që më në fund mbyllen. Mjafton të shikosh rrugëtimin e Eberechi Ezes – një djalë që u rrit me një ëndërr, dhe që të dielën i pa rrugët e karrierës së tij të bashkohen në mënyrën më të pabesueshme.
Tripletta kundër Tottenhamit, ëndrra e Eze vazhdon
Ndoshta dukej e shkruar: kush tjetër përveç Eberechi Ezes mund ta vendoste Derbin e Londrës së Veriut? Sulmuesi anësor anglez, i përdorur nga Arteta si mesfushor ofensiv, ishte protagonist absolut ndaj Spursave.
Një gol me të djathtën, një me të majtën, e më pas sërish me të djathtën – kështu realizoi he-trikun e tij të parë me fanellën e Arsenalit, vetëm e katërta në histori nga një lojtar i Gunnersave kundër Tottenhamit.
Historia e dashurisë mes tij dhe klubit u bë publike verën e kaluar, menjëherë pas transferimit nga Crystal Palace.
“Isha gati të shkoja te Tottenhami, por në momentin që u fut Arsenali në garë, gjithçka u vendos – ishte gjithmonë Arsenali”, u shpreh ai për The Athletic.
Djaloshi që u rrit nën hijen e Highburyt tani ka edhe një hap të fundit për të mbyllur përfundimisht rrethin që e ka ndjekur prej 21 vitesh. /Telegrafi/


