Hill: E vështirë të gjendej dikush me autoritet që të fliste në emër të palës shqiptare
Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill tha se ka punuar edhe me palën serbe e po ashtu edhe atë shqiptare të Kosovës gjatë viteve të luftës. Për palën e fundit, tha se ishte e vështirë që të gjendeshin njerëz që mund të flisnin me autoritet.
“Kjo në atëkohë ka qenë një sfidë e madhe. Në disa momente ishte e vështirë që të gjendeshin njerëz të cilët mund të flisnin me autoritet pasi çdokush kishte një mendim. Nuk ishte problem që të gjendej dikush që kishte një mendim – problemi ishte që gjendej dikush që kishte autoritet”, tha Hill, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Një prej këtyre personave, sipas Hillit, ishte kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova të cilin e përshkroi me pozitë udhëheqëse në Kosovë, e cila ishte joformale.
Nga pala serbe, ai tha ka punuar kryesisht me Sllobodan Millosheviqin dhe ekipin e tij, duke përfshirë ish-ministrin e Punëve të Jashtme dhe ish-kryeministrin, Millutineviq.
Dëshmitari shtoi se kjo pjesë nga pala serbe ishte shumë e kufizuar, duke theksuar se puna kryesisht bëhej me Millosheviqin.
Duke bërë dallimin në mes këtyre palëve, Hill tha se mund të flisje vetëm me Millosheviqin për një çështje, por nuk ishte e njëjta nëse flisje vetëm me Rugoven pasi mund të mosrealizohej sepse kishte mendime të ndryshme për të njëjtën çështje.
Hill: Në fillim jam përpjekur që të ndërtonim një plan që t’i kthehej autonomia Kosovës
(Përditësuar, ora 15:25)- Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se në çështjen e Kosovës, është angazhuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në maj të 1998-ës, konkretisht nga Madeleine Albright si sekretare e Shtetit Amerikan të cilës edhe i raportonte.
Hill- tani diplomat në pension, tha se rolin e tij e ka kuptuar si diplomat që duhet të ofrojë një mbështetje ose zgjidhje politike dhe rrjedhimisht të ndihmojnë që të zmbrapsen forcat në Kosovë nga dhuna në rritje, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Që në fillim fare jam përpjekur që me kolegët e Departamentit të Shtetit të mund të ndërtonim një plan autonomie në mënyrë të tillë që të kthehej autonomia e Kosovës, në mënyrë që Kosova të kishte vetëqeverisjen e vet. Kjo ishte pista kryesore që ndiqnim me Kosovën dhe Serbinë”, tha Hill.
Dëshmitari këtë e tha duke u përgjigjur në pyetjet e palës thirrëse e që ishte mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq.
Dëshmitari duke treguar për funksionin që ka pasur në Maqedoni dhe në Shqipëri, tha se çështja e Kosovës ishte një temë e madhe në Ballkan, por që nuk ishte e vetmja duke iu referuar edhe çështjes së luftërave në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci.
“Kosova ishte një temë shumë e madhe për Ballkanin, por në atëkohë s’ishte e vetmja çështje që diskutohej sepse kishte shumë luftëra që ndërhynin në këtë çështje si lufta në Bosnjë dhe Kroaci”, tha ai.
Deri në maj të viti 1998, Hill tha se nuk e ka vizituar Kosovën deri kur iu kërkua që të merrte përgjegjësi shtesë nga ana e SHBA-ve.
Dëshmitari tha se në bisedat e Dejtonit kanë qenë të përqendruara në përfundimin e luftës në Bosnje, por që tema e Kosovës përmendej nga shtetas amerikanë me prejardhje nga Kosova që kërkonin zgjidhje për Kosovën. Tha se ka biseduar për Kosovën edhe me Sllobodan Millosheviqin.
“Më kujtohet që kam pasur biseda të drejtpërdrejta me presidentin Millosheviq në kontekstin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit se e dinim që Kosova do të ishte çështja tjetër e radhës”, tha Hill.
Christopher Hill, dëshmitari i radhës i Thaçit e nis dëshminë në Hagë
Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill është dëshmitari i radhës në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në gjykimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Hill i cili mban kodin 1DW-008, është dëshmitari i pestë i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit e cila përfaqësohet nga avokati Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Paraprakisht, u pranua në listën e provave materiale një dokument me kërkesë të mbrojtjes, e që është një pjesë e një videoje e cila do të përdoret me këtë dëshmitar. Kjo kërkesë nuk ishte kundërshtuar nga Prokuroria.
Lista e rishikuar e provave materiale, u obligua që të dorëzohet nga mbrojtja më së voni deri të premten.
Për këtë dëshmitar u vendosen masa që kanë të bëjnë më atë se dëshmia e tij do të kufizohet në tema të caktuara sipas asaj që është kërkuar nga dhënësi i informacionit. Po ashtu, ky dëshmitar mund të refuzojë që të përgjigjet në pyetje që përbëjnë përgjgje konfiidenciale. Si dhe me këtë dëshmitar do të jetë i pranishëm edhe përfaqësuesi i autorizimit të informacionit.
Pra, bashkë me Hill në këtë seancë u paraqit Terra Gerhersanem- zëvendëskëshilltare ligjore e Ambasadës së SHBA-së në Hagë.
Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.
Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.
Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.
DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.
Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi/


