Hidrodrini u bën thirrje konsumatorëve të marrin masa për mbrojtjen e ujëmatësve nga ngricat
Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidrodrini nga Peja u ka bërë thirrje konsumatorëve që, në prag të rënies së temperaturave gjatë sezonit dimëror, të kenë kujdes të shtuar në mirëmbajtjen dhe izolimin e ujëmatësve dhe instalimeve të ujit.
Sipas njoftimit të kompanisë, tubacionet dhe instalimet brenda pronave private, përfshirë edhe ujëmatësit, mund të ngrihen nëse janë të ekspozuara drejtpërdrejt ndaj temperaturave të ulëta. Për këtë arsye, konsumatorëve u rekomandohet që të ndërmarrin masa parandaluese në kohë.
Hidrodrini këshillon që në ndërtesat kolektive, përkatësisht në pusetat me ujëmatësin kryesor, si dhe në shtëpitë private, ujëmatësit të izolohen në mënyrë adekuate për të shmangur ngrirjen. Po ashtu, rekomandohet izolimi i pusetave ku janë të vendosur matësit e ujit.
Sipas kompanisë, tubat që kanë më shumë gjasa të ngrihen janë ata të vendosur në mure të paizoluara mirë, në garazhe, bodrume, si dhe tubacionet e vendosura cekët nën sipërfaqen e tokës. Në këto raste, këshillohet shtimi i izolimit në muret e jashtme dhe veshja e gypave me materiale izoluese, si dhe izolimi i brendshëm i ujëmatësve me materiale që pengojnë depërtimin e ajrit të ftohtë.
Nga KRU Hidrodrini theksohet se konsumatorët janë përgjegjës për mbrojtjen e ujëmatësve dhe tubave të ujit, qoftë të brendshëm apo të jashtëm brenda pronës së tyre, dhe u bëhet thirrje që të tregojnë kujdes maksimal për të shmangur dëmtimet gjatë dimrit. /Telegrafi/


