Please enter at least 3 characters.

Hematokriti i lartë apo i ulët? Ja çfarë mund të zbulojë ky test i zakonshëm

Një devijim në rezultat mund të lidhet me gjendje krejt të ndryshme – dhe jo gjithmonë nënkupton të njëjtin problem

Testi i hematokritit (Hct) është një analizë e thjeshtë gjaku që mat përqindjen e rruazave të kuqe të gjakut, ose eritrociteve, në vëllimin e përgjithshëm të gjakut. Duke qenë se eritrocitet janë përgjegjëse për transportimin e oksigjenit në organizëm, mbajtja e tyre në nivele optimale është e rëndësishme për shëndetin. Ky test zakonisht bëhet si pjesë e hemogramit të plotë.

Si kryhet testi i hematokritit dhe çfarë duhet të presim?

Për testin e hematokritit nuk nevojitet përgatitje e veçantë. Pacienti mund të hajë dhe të pijë normalisht, si dhe të marrë terapinë e rregullt.

Mostra e gjakut merret zakonisht nga një venë e krahut, ndërsa te foshnjat mund të merret nga thembra. Procedura zgjat vetëm disa minuta. Më pas, mostra përpunohet në laborator për të përcaktuar përqindjen e saktë të eritrociteve.

Rezultatet zakonisht janë të gatshme brenda 24 orëve deri në disa ditë, varësisht nga laboratori, transmeton Telegrafi.

Cilat janë vlerat referente të hematokritit?

Rezultati i testit shprehet në përqindje. Vlerat orientuese sipas moshës dhe gjinisë janë:

Vlerat normale të hematokritit (%)

  • Burrat: 41–50%
  • Gratë: 36–44%
  • Foshnjat: 32–42%
  • Të porsalindurit: 45–61%

Vlerat referente mund të ndryshojnë lehtë nga një laborator në tjetrin.

Çfarë nënkuptojnë devijimet nga vlerat normale?

1. Hematokriti i lartë – eritrocitoza

Niveli i lartë i hematokritit quhet eritrocitozë. Në disa raste mund të lidhet me një sëmundje të quajtur policitemia vera. Megjithatë, shpesh rritja e hematokritit tregon se organizmi po prodhon më shumë rruaza të kuqe për shkak të nevojës së shtuar për oksigjen.

Shkaqet e mundshme përfshijnë:

  • dehidratimin
  • pirjen e duhanit
  • qëndrimin në lartësi të mëdha mbidetare
  • përdorimin e testosteronit
  • apnenë obstruktive të gjumit
  • sëmundjet e zemrës
  • fibrozën pulmonare
  • helmimin me monoksid karboni
  • policiteminë vera, një sëmundje e rrallë e palcës së eshtrave.

2. Hematokriti i ulët – anemia

Hematokriti i ulët mund të tregojë se organizmi nuk ka mjaftueshëm rruaza të kuqe të shëndetshme. Një nga shkaqet më të zakonshme është anemia.

Dyshimi për anemi, e cila mund të shkaktojë simptoma si lodhje, dobësi dhe mungesë energjie, është ndër arsyet më të shpeshta për kontrollimin e hematokritit.

Shkaqet e mundshme përfshijnë:

  • humbjen e gjakut, kronike ose akute
  • forma të ndryshme të anemisë
  • sëmundjet e veshkave ose të gjëndrës tiroide
  • leukeminë
  • hiponatreminë.

Gjatë shtatzënisë është normale që hematokriti të jetë disi më i ulët, sepse vëllimi i plazmës së gjakut, pra pjesës së lëngshme të tij, rritet më shumë sesa numri i eritrociteve. /Telegrafi/