Please enter at least 3 characters.

Haxhiu mirëpret prezantimin e rezolutës në Kongresin Amerikan në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur prezantimin e rezolutës në Kongresin Amerikan në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Kjo u bë e ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook të faqes së Presidencës.

“Mirënjohje për Përfaqësuesit Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler për lidershipin e tyre dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Kosova ta zërë vendin që i takon në familjen euroatlantike”, ka theksuar u.d. presidentja Haxhiu.

Ndryshe, një ditë më parë kongresistët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler prezantuan një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për të shprehur mbështetje të fortë për integrimin e Kosovës në NATO.

Në rezolutë thuhej se qeverisja demokratike e Kosovës, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike përbëjnë një “rast bindës” për anëtarësimin e saj në Aleancë. /Telegrafi/