Please enter at least 3 characters.

Harrohet premtimi për parkun memorial për modularin në Tetovë

2021/04/spitali-modular-tetove.jpg

Një vit pas dhënies së premtimit për ndërtimin e parkut memorial për viktimat nga zjarri në spitalin modular më 8 shtator të vitit 2021, parku as që ka filluar të ndërtohet. Hapësira ku ai ishte parashikuar, as nuk është pastruar. Familjarët e viktimave, ndjehen të zhgënjyer nga ky veprim, i cili, siç thotë njëri prej tyre, është tallje me viktimat, siç ishte edhe gjykimi.

“Me parkun memorial na zhgënjyen neve si familjar. Na u premtua parku e zgjodhën vendin ku do bëujej parku, asokohe ishte ministër Azir Aliu ku bëmë një marrëveshje për ta bë parkun por nuk u bë. Na premtuan na rrejtën. Pra në këtë shtet gjithnjë neve si familjar kur na është premtuar diçka na kanë rrejt. Ajo nuk u bë dhe nuk e di edhe ku janë më punët për tu bë memoriali i 14 viktimave”, shprehet Mumin Ismaili, familjar i njërës prej viktimave.

Drejtori i Spitalit klinik të Tetovës Erzen Elezi thotë se detyrat nga ana e spitalit për ndërtimin e parkut janë kryer, ndërsa topin e hedh tek Ministria e Shëndetësisë.

“Ashtu siç ju kemi informuar edhe juve, nga ana e spitalit klinik të Tetovës është kërkuar vendi dhe pozita ku mund të ndërtohet një park memorial për tragjedinë që ndodhi në spitalin e Tetovës. ne në Ministrinë e Shëndetësisë i kemi dhënë gjitha dokumentet e nevojshme që janë kërkuar mirëpo kjo është projekt i Ministrisë së Shëndetësisë. Disa herë kemi kërkuar dhe kemi marrë informacion se procedura është tek tenderimi”, deklaroi Erzen Elezi, Drejtor i Spitalit Klinik Tetovë.

Gjatë vizitës së fundit që i bëri Spitalit Klinik të Tetovës, një muaj më parë, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, nuk e kishte idenë e këtij premtimi.

“Realisht nuk isha në rrjedhë se kemi projekt të papërfunduar këtu, më njoftoi kreu i komunës, do e shoh dhe do i japim prioritet”, u shpreh Sasho Klekovski, Ministër i Shëndetësisë.

Vetëm disa javë para përvjetorit të tragjedisë në Spitalin modular të Tetovës, Prokuroria e mbylly hetimin e dytë për furnizimin e spitaleve modulare, me çka u shuan edhe shpresat e familjarëve për zbardhjen e plotë të këtij rasti. Ndryshe, në 8 shtator të vitit 2021, nga zjarri që shpërtheu në spitalin modular të Tetovës, jetët humbën 14 viktima, ndërsa për këtë rast, përveç Spitalit të Tetovës si person juridik, u akuzuan edhe dy drejtorët e spitalit Florin Besimi dhe Artan Etemi, për mos vendosjen e aparateve kundër zjarrit në objektin e modularit në Tetovë. /Alsat/