Haradinaj apel mërgatës për zgjedhjet: Ta kthejmë Kosovën në normalitet
Pas vendimit për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare më 28 dhjetor të këtij viti, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj iu është drejtuar me një mesazh mërgimtarëve të cilët festat e fundvitit do t’i kalojnë në Kosovë.
Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social ka shkruar se mërgimtarët përveç vizitave në familjet e tyre do ta kenë edhe një angazhim tjetër që siç u shpreh “pretendon ta kthejë Kosovën në binarët e normalitetit”.
“Ne duam që Kosova e ëndrrave tona të jetësohet. Ne duam që vlera e lirisë të respektohet dhe të nderohen partnerët ndërkombëtarë në secilin nivel të sigurisë e të zhvillimit. Ne s’duam lëmoshë financiare prej 100 eurosh, që ministri e kryeministri t’ia vazhdojnë pushtetin vetes për një javë apo një muaj”, ka shkruar Haradinaj.
Ai tha se duan angazhim institucional, që familjet ta ndjejnë dorën e shtetit.
“Bisedoni e argumentoni mes vete, në familjet tuaja, dhe vendosni për të ardhmen. Ne kurrë s’kemi qenë të ndarë mes vete në familje. Malli për njëri-tjetrin na ka gërryer shpirtin, për ta ndërtuar sigurinë dhe jetën e begatë në familjet tona, para e pas luftës. Pastaj, dhatë për lirinë shumë, e bashkë e gëzuam rrugëtimin e ëndrrës që për të u sakrifikua shumë. Pa njëri-tjetrin nuk e kemi familjen, nuk e nderojmë vendin dhe nuk e sigurojmë të ardhmen”, tha Haradinaj duke shtuar se “Mos e lejoni asnjë propagandë që e dëmton familjen. Besnik ndaj atdheut dhe kombit”. /Telegrafi/


