Please enter at least 3 characters.

Hapet edicioni i 9-të i Konventës Internacionale “Suksesi është qëllimi yt”

Pas muajsh përgatitjeje, sot ka hapur dyert edicioni i nëntë i Konventës Internacionale “Suksesi është qëllimi yt”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të zhvillimit profesional dhe personal, që mbledh pjesëmarrës nga fusha të ndryshme për të shkëmbyer ide, përvoja dhe njohuri.

Organizatorët theksojnë se kjo nuk është thjesht një ngjarje, por një platformë ku mblidhen njerëz që zgjedhin të investojnë në veten e tyre dhe të rriten profesionalisht.

Në një vend të vetëm janë bashkuar sipërmarrës, menaxherë, profesionistë, të rinj ambiciozë dhe individë nga sektorë të ndryshëm, të gjithë të udhëhequr nga synimi për të ndërtuar një të ardhme më të suksesshme.

Sipas organizatorëve, realizimi i kësaj konvente është bërë i mundur falë mbështetjes së partnerëve dhe sponsorëve, të cilët kanë kontribuar në krijimin e një platforme që promovon lidershipin, zhvillimin profesional dhe kulturën e suksesit.

“Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë partnerët, sponsorët, bizneset pjesëmarrëse dhe secilin individ që ka zgjedhur të jetë pjesë e kësaj eksperience. Prania e tyre dëshmon besimin në fuqinë e dijes, bashkëpunimit dhe zhvillimit të vazhdueshëm”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Konventa e këtij viti sjell edhe një panel të pasur me folës dhe trajnerë ndërkombëtarë, të cilët kanë ardhur nga vende të ndryshme për të ndarë përvojat dhe ekspertizën e tyre me pjesëmarrësit.

Në mesin e tyre janë Denis Gafuri, Pasquale Minasi, Dragica Korenjak, Zana Lipoveci Kastrati, Antonela Hako, Ideal Emini dhe Dukagjin Selmanaj. Ata do të trajtojnë tema që lidhen me lidershipin, biznesin, shitjet, performancën dhe zhvillimin personal.

Organizatorët vlerësojnë se kjo ngjarje shënon jo vetëm kulmin e një pune të gjatë organizative, por edhe fillimin e ideve të reja, bashkëpunimeve të reja dhe vendimeve që mund të ndikojnë në rrugëtimin profesional të shumë pjesëmarrësve. /Telegrafi/